Trump kërcënoi Iranin shkaku i sulmit ndaj Katarit: Do ta rrafshoj me tokë fushën më të madhe të gazit në botë
Presidenti amerikan, Donald Trump premtoi se do ta “shkatërrojnë plotësisht” fushën më të madhe të gazit në botë nëse Irani sulmon sërish Katarin.
Trump të mërkurën në mbrëmje, në rrjetet sociale, i drejtoi një kërcënim Iranit, duke synuar fushën iraniane të gazit “South Pars Gas”, pasi raketat iraniane goditën Katarin. Sulmi iranian erdhi si kundërpërgjigje ndaj një sulmi izraelit mbi fushën “South Pars” më herët gjatë së njëjtës ditë.
Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka tronditur tregjet energjetike, ndërsa konflikti po rrit presionin mbi sektorin energjetik të rajonit. Çmimi i naftës u rrit ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, duke rritur kostot e karburantit dhe mallrave të tjera, si dhe duke ushtruar presion shtesë mbi ekonominë globale.
Çmimet globale të naftës u rritën pas lajmeve për sulmin ndaj “South Pars”, për shkak të frikës nga hakmarrja iraniane ndaj infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik.
Trump në deklaratën e tij tha se SHBA “nuk dinin asgjë” për sulmin, por një person i njohur me detajet kishte thënë më herët se Uashingtoni ishte informuar për planet izraelite për të goditur fushën e gazit, megjithëse nuk kishte marrë pjesë në operacion.
Disa orë pas sulmit ndaj fushës, autoritetet e Katarit njoftuan se një raketë balistike kishte goditur një kompleks kyç kombëtar të gazit, duke shkaktuar një zjarr që shkaktoi dëme “të mëdha” dhe se Katari dëboi një pjesë të stafit të ambasadës iraniane nga vendi.
Trump premtoi gjithashtu se Izraeli nuk do të kryejë më sulme ndaj fushës kryesore iraniane të gazit South Pars, por paralajmëroi se nëse Irani sulmon sërish Katarin, SHBA do të kundërpërgjigjen dhe do ta “shkatërrojnë masivisht dhe plotësisht” atë fushë.
Ai e publikoi këtë kërcënim në rrjetet sociale të mërkurën në mbrëmje, në një moment kur lufta ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe raketat iraniane goditën Katarin.
Ai përsëriti se SHBA “nuk dinin asgjë” për sulmin, megjithëse një person i informuar kishte thënë më herët se Uashingtoni ishte njoftuar për planet izraelite për sulmin ndaj fushës së gazit, por nuk kishte marrë pjesë, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Trump tha se Katari “në asnjë mënyrë, në asnjë formë” nuk ishte i përfshirë në sulmet izraelite ndaj fushës së gazit iraniane, por se “fatkeqësisht, Irani nuk e dinte këtë” dhe e sulmoi Katarin “padrejtësisht dhe pa arsye”.
“Nuk dua ta miratoj këtë nivel dhune dhe shkatërrimi për shkak të pasojave afatgjata që do të kishte për të ardhmen e Iranit”, tha 79-vjeçari.
Megjithatë, ai shtoi se “nuk do të hezitojë” ta bëjë këtë nëse impiantet e gazit natyror të lëngshëm të Katarit sulmohen sërish.
Katari është një furnizues kyç i gazit natyror për tregjet globale të energjisë.
Ai tashmë ka ulur prodhimin më herët gjatë luftës, por dëme të mëdha mund të vonojnë rikthimin e furnizimeve të Katarit në treg pas përfundimit të luftës me Iranin./Periskopi/



