Vërshimet e fundit në Kosovë shkaktojnë mbi 5 milionë euro dëme, këto janë komunat më të prekuar
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Periskopin ka treguar se vlera e dëmit të shkaktuar nga vërshimet e fundit në vend tejkalojnë vlerën pesë milionë euro.
Ibrahmi ka treguar se cilat janë komunat më dëmet më të mëdha të vërshimeve duke përfshirë ekonominë familjare, bizneset, lokalet dhe infrastrukturën publike.
“Vlera e dëmeve nga vërshimet e fundit nëpër komuna tejkalon 5 milionë euro. Sipas vlerësimeve fillestare të Komunave të prekura nga vërshimet e fundit, dëmet deri më tani tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro, duke prekur rëndë ekonomitë familjare, bizneset lokale dhe infrastrukturën publike. Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë: Gjakova 2.7 milionë euro; Drenasi mbi 1.5 milionë euro; Peja, Rahoveci dhe Mitrovica nga 800 mijë euro secila; Klina mbi 650 mijë euro dhe Malisheva 540 mijë euro”, tha Ibrahimi.
Ai ka thënë se vlerësimet e dëmeve nga vërshimet “ende nuk kanë përfunduar në disa komuna tjera të vendit”.
Ibrahmi ka bërë thirrje për nivelin qendror duke kërkuar reagim urgjent dhe koordinim institucional.
“Alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare; Aktivizim të fondeve emergjente dhe mekanizmave shtetërorë; Mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e normalitetit për qytetarët dhe bizneset. Dhe të shtohet veprimi insitucional që këto mos të përseriten, pra të punohet dhe veprohet në parandalimin e vërshimeve”, tha ai tutje për Periskopin.
Sipas tij, komunat nuk mund të përballojnë të vetme këtë barrë financiare. Pa një ndërhyrje të shpejtë nga niveli qendror, rrezikohet seriozisht realizimi i shumë projekteve dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët.
“Komunat dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, mbeten të përkushtuara për bashkëpunim të plotë institucional, por njëkohësisht kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe konkret”, tha ai./Periskopi



