Mijëra besimtarë myslimanë në sheshin Skënderbej, kremtohet Fitër Bajrami në Tiranë
Pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam.
Në kryeqytet, qindra e mijëra qytetarë iu drejtuan që në orët e para të mëngjesit Sheshit “Skënderbej”, ku u organizua ceremonia qendrore e faljes nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Programi nisi rreth orës 06:45 me leximin e ajeteve nga Kurani dhe ligjëratën përkatëse, ndërsa më pas besimtarët kryen faljen e Bajramit. Ndërkohë, vizitat tradicionale në selinë e KMSH-së janë parashikuar të zhvillohen në intervalin 09:00–12:00, raporton euronews.al, transmeton Periskopi.



