Sorenseni pas takimit në DASH: Siguruam harmonizim për hapat përpara në dialog
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit gjatë ditës së djeshme, ku është diskutuar për ecurinë e dialogut dhe hapat e ardhshëm.
Përmes një njoftimi në “X”, Sorensen ka bërë të ditur se është takuar me zyrtarin e lartë të Byrosë në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan, me të cilin kanë diskutuar për dialogun Kosovë–Serbi, kanë shqyrtuar arritjet e fundit dhe kanë siguruar harmonizimin e veprimeve për hapat e ardhshëm.
“Takim i shkëlqyer me zyrtarin e Lartë të Byrosë Brendan Hanrahan në Departamentin e Shtetit. Diskutuam dialogun, shqyrtuam arritjet e fundit dhe siguruam harmonizimin në hapat përpara”, ka shkruar Sorensen.
Takimi Hanrahan – Sorensen pason vendimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësira mbi Ligjin për të huajt që hyri në fuqi nga 15 marsi.
Pas takimit të Sorensenit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë javën e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’ua njohë letërnjoftimet që atyre u lëshohen nga organet serbe, duke lehtësuar kështu ndikimin e zbatimit të Ligjit për të huajt, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.
Këto lehtësira u mirëpritën nga Serbia, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ligji për të huajt prek anëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë. Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut – i cili funksionon sipas sistemit të Serbinë – punojnë ose studiojnë qytetarë të Serbisë, do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.
Ligjet për të huajt parashihte që të gjithë personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç nëse kanë autorizim përkatës./Periskopi/



