Kur pritet vendimi për dekretin e presidentes? Flasin nga Gjykata Kushtetuese

Kur pritet vendimi për dekretin e presidentes? Flasin nga Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë të ditur se vendimi lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani do të merret vetëm pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të paraqitura në kërkesë.

Nga Gjykata për GazetaBlic theksuan se procesi do të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës, pa specifikuar një afat të saktë kohor për marrjen e vendimit, ndonëse masa e përkohshme skadon më 31 mars, transmeton Periskopi.

“Vendimi përkitazi me këtë rast do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”

Shpërndaje në: