I shkaktuan dëm prej 18 mijë euro komunës së Prizrenit, aktakuzë ndaj dy personave

I shkaktuan dëm prej 18 mijë euro komunës së Prizrenit, aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër B.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, dhe ndaj J.B., si përfaqësues i autorizuar i operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.J., në cilësinë e personit zyrtar dhe të organit mbikëqyrës të projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje, rrugët dhe ndriçimi publik”, gjatë periudhës nga muaji gusht 2022 deri më 16 gusht 2024, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje i ka tejkaluar kompetencat dhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, përpiloi raporte dhe situacione fiktive, në të cilat është paraqitur se punimet janë kryer sipas kontratës, ndonëse sipas aktakuzës, në terren gjendja ka qenë ndryshe.

Si rezultat i këtyre veprimeve, Komisioni për Pranimin Teknik është vënë në lajthim dhe ka përpiluar raport pranimi, duke konfirmuar në mënyrë të gabuar se punimet janë realizuar sipas specifikimeve të kontratës, pavarësisht se në terren punimet nuk ishin përfunduar në përputhje me kushtet e kontraktuara.

Andaj, prokuroria thotë se si rezultat i këtyre veprimeve, janë realizuar pagesa në favor të grupit të operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, edhe pse punimet nuk ishin përfunduar sipas kontratës së lidhur.

Përmes këtyre veprimeve, Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 18,765.00 euro, ndërsa përfitim pasuror i kundërligjshëm për operatorët ekonomik në të njëjtën shumë.

Ndërsa, i pandehuri J.B., si përfaqësues i autorizuar i operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, në bashkëpunim me të pandehurin B.J., ka vepruar me qëllim përfitimi pasuror duke shkelur dispozitat dhe procedurat e prokurimit publik dhe i njëjti nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”./Periskopi

Shpërndaje në: