Aksion i madh i antidrogës në Prishtinë, në pranga pesë persona – sekuestrohen mijëra euro

Aksion i madh i antidrogës në Prishtinë, në pranga pesë persona – sekuestrohen mijëra euro

Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në rajonin e Prishtinës, pas një pune intensive operative në terren dhe grumbullimit të informatave relevante lidhur me aktivitetet kriminale në fushën e narkotikëve, ka realizuar me sukses një operacion policor antidrogë të koduar me emrin “Delivery”.

Bazuar në njoftimin zyrtar, hetimet fillimisht kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të cilët dyshoheshin për shpërndarje të substancave narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë në qytetin e Prishtinës.

Të mërkurën, rreth orës 14:00, është zbatuar një plan taktik operacional, ku të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë të tipit Golf 8 me targa vendore. Me të vërejtur prezencën e policisë, në njoftim thuhet se të njëjtit kanë tentuar të ikin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion.

“Gjatë ndjekjes, të dyshuarit kanë lëvizur në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas drejt Podujevës, për t’u kthyer sërish në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Ndjekja ka përfunduar në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku njësitë policore kanë arritur t’i ndalojnë dhe arrestojnë të dyshuarit. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar: Dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë totale prej 2,221 gramësh; Një cigare e mbushur me marihuanë me peshë 1.5 gram”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjatë rrugës së ikjes, në fshatin Raskovë, policia ka gjetur edhe një paketim tjetër me marihuanë me peshë 1,117.5 gram, i cili dyshohet se është hedhur nga të dyshuarit gjatë ndjekjes.

Në koordinim me Prokurorin Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

-Sasi të vogla të marihuanës (gjithsej 34.2 gram);

-Dy peshore digjitale;

-Para të gatshme në vlerë prej 4045 euro, 40 funta dhe 40 franga;

-Dy vetura;

-Katër telefona celularë.

Gjithashtu, është kontrolluar edhe një veturë tjetër e përdorur nga të dyshuarit, ku janë gjetur 25 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë totale prej 11.9 gramësh.

Operacioni policor i antidrogës ka rezultuar me gjithsej katër persona të arrestuar.

Policia ka theksuar po ashtu se në njërën nga lokacionet e bastisura është zbuluar një hapësirë e modifikuar si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë laptopë.

“Lidhur me këtë, në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilat do të vazhdojnë hetimet në drejtim të veprave penale përkatëse sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku në proces është ndaluar edhe një person tjetër duke quar në pesë numrin e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni”.

Të dyshuarit janë shoqëruar në Polici dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit Kujdestar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë./Periskopi

Shpërndaje në: