KFOR-i i shkon në vizitë Kryeprokurorit në Prishtinë, diskutohet thellimi i bashkëpunimit
Në ambientet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kryeprokurori Zejnullah Gashi ka pritur në takim përfaqësues të KFOR-it Amerikan, Majorin Hector L. Zayas, Kryesues i Zyrës Ligjore në Kampin Bondstill, Kapitenin Adam M. Curfman, Avokat Ushtarak, si dhe Specialistin Daniel J. Allen , asistent ligjor ushtarak.
Bazuar në njoftimin e lëshuar për media, bëhet e ditur se Gashi fillimisht i uroi mirëseardhje, si dhe shprehu mirënjohje për angazhimin dhe bashkëpunimin e deri tanishëm, njëkohësisht tregoi gatishmëri për vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të këmbimit të praktikave institucionale.
Po ashtu, Kryeprokurori i njoftoi përfaqësuesit e KFOR për strukturën dhe punën e prokurorisë.
“Në anën tjetër përfaqësuesit e KFOR-it Amerikan, treguan gatishmëri në thellimin e bashkëpunimit reciprok, si dhe ofruan mbështetjen e tyre për punën e prokurorisë në tërësi. Për fund, Kryeprokurori Zejnullah Gashi, i falënderoi të pranishmit duke treguar përkushtimin e prokurorisë që të mbetet e hapur në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët, veçanërisht ata të nivelit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial./Periskopi/



