Kurti paralajmëron takime me opozitën për Presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar takime me liderët opozitarë për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Të enjten Kurti pohoi se do ta ftojë opozitën për takim, megjithëse nuk dha detaje se kur.
“Sigurisht”, tha kryeministri Kurti kur u pyet nga Rtv21 lidhur me takimet, transmeton Periskopi.
Partitë kryesore politike në Kosovë ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje drejt arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pavarësisht se ka një javë që po rrjedh afati rreth njëmujor i vendosur nga gjykata më e lartë e vendit për këtë çështje.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill dhe ligjvënësit kanë tani kohë deri më 28 prill për ta emëruar pasuesin e saj.



