Një muaj paraburgim për të dyshuarin për narkotikë në Pejë
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet L.K., i dyshuar për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Armend Lokaj, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë dhe mbajtjes së seancës dëgjimore më 7 prill 2026.
Sipas gjykatës, masa e paraburgimit do të zgjasë një muaj, duke filluar nga data e arrestimit më 5 prill 2026 në ora 17:04, deri më 5 maj 2026 në të njëjtën orë.
Paraburgimi është caktuar në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 48 orësh, përmes Gjykatës Themelore në Pejë, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë./Periskopi



