Seancë Kuvendi i Shqipërisë, Erion Braçe shkon me qese me perime
Ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë seancën e radhës plenare, me një axhendë të ngarkuar çështjesh politike dhe legjislative.
Seanca pritet të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar, ndërsa më pas do të vijojë me njoftime dhe diskutime parlamentare.
Në fokus të debatit do të jetë interpelanca e kërkuar nga deputeti Erion Braçe me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Pak para nisjes së seancës në Kuvend, deputeti Erion Braçe ka shkuar në parlament me një qese ushqimesh me vete.

Po ashtu, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetes Erisa Xhixho në një seancë pyetje–përgjigje, raporton euronews.al, transmeton Periskopi.
Në planin legjislativ, deputetët do të shqyrtojnë ndryshime në ligjin për portet turistike, si dhe amendime në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndërkohë, pritet debat edhe për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Njëri lidhet me kontrollin e investimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar në infrastrukturë, ndërsa tjetri synon verifikimin e veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH), me theks te siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave.
Në rend dite është përfshirë edhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe diskutime për çështje jashtë axhendës./Periskopi



