“Kush e shkel Kushtetutën është ‘super-kriminel’ – Sa herë e shkeli me ‘dy këmbë’ Qeveria Kurti Kushtetutën

“Kush e shkel Kushtetutën është ‘super-kriminel’ – Sa herë e shkeli me ‘dy këmbë’ Qeveria Kurti Kushtetutën

Sot 18 vjet, Kosova miratoi aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila shënoi themelimin e shtetësisë së Kosovës dhe i dha fund administratës ndërkombëtar të vendit, e cila bazohej në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, shkruan Periskopi.

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe u regjistrua në hartat politike të shteteve të pavarura. Dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën, e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Gjatë viteve, Kushtetuta ka qenë shpesh objekt i shkeljeve nga ana e qeveritarëve që kanë drejtuar Kosovën.

Edhe gjatë Qeverisë Kurti janë evidentuar shkelje të Kushtetutës, ndonëse zyrtarët e Vetëvendosjes, sa ishin në opozitë, premtonin se ajo do të respektohej plotësisht.

Madje Albin Kurti, sa ishte në opozitë shkelësit e Kushtetutës i quante “super-kriminel”.

Megjithatë qeveria e tij u shndërrua në shkelës të vazhdueshëm të Kushtetutës.

Në gati 6 vjet qeverisje mbi 10 herë u shkel Kushtetuta nga qeveria e Albin Kurtit.

Periskopi ju sjell disa nga shkeljet që u bën në këtë periudhë.

Qeveria Kurti 1:

31 mars 2020 – vendimi i Qeverisë për “orën policore” gjatë pandemisë, sepse kufizonte lirinë e lëvizjes pa bazë ligjore.

1 maj 2020 – vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Prizrenit zonë karantinë sepse ishte pa bazë ligjore.

Gjykatë Kushtetuese, gjeti që të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve u shkelën.

“TE SHPALLE qe Vendimi nr. 01/15 i Qeverise se Republikes se Kosoves, i 23 marsit 2020, nuk eshte ne perputhshmeri me nenin 55 [Kufizimi i te Drejtave dhe Lirive Themelore] te Kushtetutes ne lidhje me nenet 35 [Liria e Levizjes], 36 [E drejta e Privatesise] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta per respektimin e jetes private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe e organizimit) te KEDNJ-se dhe nenin 2 (Liria e levizjes) te Protokollit nr. 4 te KEDNJ;” – thuhej në aktvendimin e Kushtetueses.

Qeveria Kurti 2:

2 janar 2022 – vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, sepse cenonte pavarësinë e këshillit.

8 prill 2022 – ndërhyrja e MASHTI-t në Komunën e Kamenicës për riorganizimin e shkollave, sepse kishte tejkalim kompetencash.

Shkelje kjo e kryer nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministrja Arbëri Nagavci kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim e filluar nga ish-kryetari Qëndëron Kastrati.

Në vendim thuhej se MASHTI-i përmes vendimit për mësim “ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”.

Madje Nagavci në reagimin e saj publik pas vendimit të Kushtetueses, kishte thënë se do të analizohej ky vendim.

24 mars 2023 – ndryshimi i Ligjit mbi Këshillin Prokurorial, sepse pushteti ndërhynte në pavarësinë e tij. Kushtetuesja i dha fund ambicieve të Kurtit për të kontrolluar jo veç qeverinë dhe kuvendin, por edhe një pjesë esenciale të gjyqësorit.

Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka shkelur Kushtetutën. Gjykata shpalli anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial i cili u hartua nga Ministrja e Drejtësisë.

1 gusht 2023 – shkarkimi i bordit të RTK-së nga Kuvendi, sepse nuk kishte bazë ligjore.

Gjykata rrëzoi vendimin e Kuvendit për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe rrëzoi vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

3 gusht 2023 – Ligji për Zyrtarët Publikë, sepse politizonte administratën shtetërore.

24 nëntor 2023 – Ligji për çmimet tavan për produktet bazë, sepse parashihte ndërhyrje të Qeverisë në tregun e lirë pa bazë ligjore.

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur në kundërshtim me Kushtetutën Ligjin e miratuar nga qeveria Kurti për çmimet tavan, gjë e cila nxiti regime nga pushteti.

26 dhjetor 2023 – Ligji për Paga, sepse cenonte të drejtat themelore dhe ishte diskriminues.

26 qershor 2024 – Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, sepse ishte instrument për përndjekjen e kundërshtarëve politikë.

27 qershor 2024 – Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, sepse kishte për qëllim kapjen dhe nënshtrimin e administratës.

23 prill 2025 – Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, sepse cenonte pavarësinë e këtij institucioni.

Shkelje u bën edhe gjatë seancave Konstituive të Kuvendit, nga deputeti i VV’së dhe kryesuesi i këtyre seancave , Avni Dehari.

Kur deputetët nuk votuan raportin e një komisioni, Dehari e quante “akt të paprecedentë”. Por sipas Kushtetutës, votimi është e drejtë – jo detyrim. Asnjë deputet nuk i jep llogari Kryesuesit.

Më 1 maj 2025 – Dehari propozoi votim të fshehtë. Pa miratim. Pa komision të përfaqësuar drejt. Pa asnjë bazë në Rregullore.

Ai nuk kishte vepruar në përputhje me “Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025”.

Pika tjetër e vendimit të Kushtetueses ishte se kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet vetëm me votim të hapur.

Gjithashtu, një kandidat mund të propozohet vetëm tri herë për kryetar Kuvendi e jo më shumë, derisa VV, Albulena Haxhiun e kishte propozuar plotë 54 herë.

Sipas vendimit, kryesuesi i seancave obligohet “të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Kujtojmë se Kushtetuta e Kosovës, e ratifikuar më 9 prill 2008, është akti më i lartë juridik që garanton të drejtat dhe liritë themelore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Pjesa më e madhe e këtij dokumenti rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, që ofron të drejta specifike për grupet minoritare dhe siguron një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët./PERISKOPI/

9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Hamza për Ditën e Kushtetutës: PDK mbetet e përkushtuar në respektimin dhe mbrojtjen e aktit më të lartë juridik

Partia e saj kampion në shkeljen e Kushtetutes, Haxhiu shkruan në Ditën e saj

 

 

 

Shpërndaje në: