Mungojnë ministrja Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe deputeti Salih Zyba, dështon seanca për gazin lotsjellës

Mungojnë ministrja Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe deputeti Salih Zyba, dështon seanca për gazin lotsjellës

Një seancë gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës dështoi të premten në Prishtinë për shkak të mungesës së të akuzuarve, përfshirë ministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, dhe deputetin Salih Zyba.

Seanca nuk u mbajt pasi të akuzuarit Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Zyba nuk ishin të pranishëm në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.

Gjyqtari i çështjes, Sabit Sadikaj, tha se Zyba kishte njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një seance plenare në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Pacolli-Dalipi kishte arsyetuar mungesën e saj.

Për të akuzuarën Millaku, gjykata nuk ka konfirmim nëse ajo e ka pranuar ftesën për seancën, pasi kjo nuk rezulton nga fletëkthesa, shtoi Sadikaj.

Gjykata do të lëshojë urdhër për sjellje me detyrim për të akuzuarit, ndërsa mbrojtësit e tyre do të ftohen në mënyrë të rregullt.

Në seancë ishte i pranishëm prokurori i shtetit, Avni Namani.

Në këtë rast, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës, bashkë me Zybën akuzohen ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi dhe ish-deputetja Drita Millaku.

Shpërndaje në: