Rreth 2,100 raste të reja me kancer çdo vit në Kosovë, mbi 450 pacientë trajtohen çdo ditë në Onkologji
Në Kosovë regjistrohen rreth 2,100 raste të reja me kancer çdo vit, që përkthehet në afërsisht 170 deri në 190 raste në muaj.
Vetëm gjatë periudhës janar 20 mars, rreth 500 pacientë të rinj janë ekzaminuar, diagnostikuar dhe trajtuar për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.
“Çdo dite pune rreth 250-300 pacient trajtohen ne sherbimin e Onkologjise mjekesore dhe rreth 140 pacient ne dite rrezatohen ne Sherbimin e Radioterapise, pra mbi 450 pacient ne total cdo trajtohen ne Kliniken e Onkologjise.”, tha i pari i Onokologjisë, Ilir Kurtishi për IndeksOnline, transmeton Periskopi
Kurtishi bënë me dije se fluksi i pacientëve mbetet i lartë në baza ditore.
Sa i përket llojeve më të shpeshta të tumoreve në vend, ato ndryshojnë sipas gjinisë.
“Tek gratë, kanceri i gjirit, i ndjekur nga kanceri i qafës së mitrës dhe ai i kolonit zorrës së trashë.”, ka bërë të ditur Kurtishi për IndeksOnline.
“Tek burrat më të përhapurit janë kanceri i mushkërive, kanceri i prostatës dhe kanceri i kolonit.”, ka bërë me dije ai.
Në përgjithësi, duke përfshirë të dy gjinitë, më të shpeshtët mbeten kanceri i gjirit, kanceri i mushkërive dhe kanceri kolorektal./Periskopi/



