Policia për zjarrin tragjik në Malishevë: Tre viktima, po hetohen shkaqet
Komandanti i stacionit policor, Nazmi Zogaj, ka dhënë detajet lidhur me rastin tragjik në Malishevë ku babai dhe fëmijët humbën jetën pas shpërthimit të bombolës së gazit.
“Po, siç jeni të njoftuar edhe ju për një rast tragjik që ka ndodhur sot në komunën e Malishevës, ne si polici në orën 12:55 minuta kemi pranuar një informatë për një banesë në banimin kolektiv social që është në lagjen ‘Mirdita’, që është duke u djegur një banesë dhe kemi njoftuar njësitë emergjente edhe njësitë e zjarrfikësve që t’u ofrojmë ndihmë banorëve që dyshohet që kanë qenë brenda”, tha Zogaj, raporton EkonomiaOnline, transmeton Periskopi.
Zogaj tregoi se në vendin e ngjarjes kishin arritur policia, zjarrfikësit dhe emergjenca, ku është hasur një person pa vetëdije dhe dy fëmijë që janë dërguar për trajtim.
“Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitë tona, njësitë zjarrfikëse edhe emergjenca shëndetësore, të cilët kanë hasur një person aty pa vetëdije, menjëherë është shoqëruar, është marrë dhe është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ndërsa dy fëmijët që kanë qenë në banesë janë dërguar nga një banues aty pranë”, tha ai.
Sipas Zogajt, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tre personave në QKMF, ndërsa viktimat janë të moshës 35, 9 dhe 12 vjeç.
“Mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e tyre në Qendrën e Mjekësisë Familjare, mosha e viktimave ka qenë 35, 9 dhe 12 vjeçar. Edhe në vendngjarje edhe ju e keni vërejtur që kanë qenë hetimet rajonale që kanë kryer vendshikimin e vendngjarjes, ka qenë prezent edhe prokurorja e cila ka mbikëqyrë hetimet. Me urdhër të prokurores, viktimat janë dërguar në mjekësinë ligjore për ekzaminim mjekoligjor. Kjo është informata të cilën e kemi deri më tani”, tha ai.
Zogaj tha se banesa është djegur rëndë, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur dhe është në fazën e hetimeve.
“Banesa ka qenë shumë e djegur, edhe burimi i zjarrit edhe arsyeja janë duke u bërë hetimet e mëtutjeshme. Në momentin që ta marrim një raport nga ekspertët e zjarrit edhe nga shikimi i hetuesve të krimeve teknike, ne mund ta konfirmojmë burimin e saktë se si ka ardhur deri te ky zjarr. Deri më tani nuk kemi informatë për bombol gazi, sepse nuk është dëgjuar nga dëshmitarët për ndonjë shpërthim aty”, tha ai./Periskopi
Tragjedia në Malishevë, prokurorja: Hetimet në zhvillim, shkaqet nuk dihen ende



