Haradinaj po shantazhohet nga partnerët e koalicionit, nuk po mund ta përballojë presionin psikologjik

Haradinaj po shantazhohet nga partnerët e koalicionit, nuk po mund ta përballojë presionin psikologjik

Deputeti i LDK’së, Arben Gashi në një intervistë për Periskopin flet për përplasjet gjatë seancës së djeshme me kryeministrin Ramush Haradinaj. Ai tregon nëse LDK kishte kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës.

Në të njëjtën intervistë Gashi tregon se çfarë po ndodh me Demarkacionin, a po përçahet LDK-ja dhe nëse është biseduar në parti për ndonjë ofertë të mundshme politike që do t’i bëhej kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas dorëheqjes së tij nga Vetëvendosje.

Lexoni të plotë intervistën e deputetit Gashi:

Periskopi: Zoti Gashi, në seancën e djeshme keni pasur një përplasje me zotin Ramush Haradinaj lidhur me një takim të vitit 2014 ku është diskutuar për vendet e rezervuara. Haradinaj në fjalën e tij përmendi edhe kundërshtinë e atëhershme të LDK’së për ushtrinë e Kosovës. A mund të na tregoni çka ka ndodhur atëkohë?

Arben Gashi: Kanë qenë disa takime, unë ju kam referuar tri katër takimeve që janë mbajtur mes vendeve të Kuintit. Kanë qenë disa takime me radhë që janë mbajtë. Ka qenë ideja dhe kërkesa meqenëse kishim hyrë në një fazë të re të bisedimeve me Serbinë ka qenë propozimi dhe kërkesa e grupeve etnike jo shqiptare që të vazhdohen vendet e rezervuara të paktën edhe një mandat. Pas diskutimeve LDK ka vendosë që nuk i përkrahë këto vende të rezervuara dhe në zhvillim e sipër ka pasë fjalë dhe zhurma të ndryshme por nuk ka pasë një propozim konkret lidhur me krijimin e ushtrisë megjithëse unë mendoj personalisht se duke marrë parasysh rrethanat e kohës kur është zhvilluar ky debat, ky ka qenë vendimi më i madh që ka marrë LDK pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duke marrë parasysh gjendjen në të cilen gjendeshim pas dështimit të operacionit policor në gjendjen veriore të udhëhequr nga zoti Thaçi, kryeministër në atë kohë, më 25 korrik 2011, fillojnë bisedimet me ndërmjetësimin e BE’së mes Kosovës dhe Serbisë dhe në këto bisedime fillon të dizajnohet ideja për një autonomi territoriale për pakicën serbe në Kosovë. Pas kësaj, kemi marrëveshjen e Prillit në Bruksel ku parashihet formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe kompetenca në gjyqësi, polici në çështje organizative dhe përfaqësimin në nivel qendror. Pra kemi pas tendenca në atë kohë…një element shtesë që duhet marrë parasysh, regjistrimi për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ka qenë i tillë sa 38 mijë e 280 aplikacione kanë ardhë nga Serbia dhe mbi 1 mijë nga Mali i Zi dhe i bie që do të kishim mbi 12 deputetë shtesë me vendet e rezervuara. Pra, ne do të kishim 22 ose 23 nga radhët e komunitetit serb, rreth 15 nga radhët e komuniteteve tjera dhe do të kishim një disbalancim dhe një shkatërrim të Kosovës nga brenda. Pra ne kemi marrë vendim që të mos ndodhte kjo përkundër shantazheve të vazhdueshme. Është diçka që LDK duhet t’ua tregojë qytetarëve dhe duhet të jetë krenare me këtë vendim.

Periskopi: Gjatë debateve në Kuvend, vërehet një përplasje e vazhdueshme e kryeministrit Haradinaj me grupin parlamentar të LDK’së. Pse po ndodhë kjo?

Arben Gashi: Zoti Haradinaj si duket gjindet në kushte të shantazhit politik nga partnerët e koalicionit dhe gjendja e tij politike dhe presionin psikologjik si duket nuk po e përballon. Gjuha që po e përdorë është jo e dinjitetshme dhe jo e duhur për Kuvendin. Refuzoj me diskutu publikisht me atë gjuhë më kryeministrin Haradinaj. Dje kemi pasë një përplasje por është tejkaluar. Në komunikimin tim publik jam munduar të jem korrekt.

Periskopi: Çka po ndodh me demarkacionin?

Arben Gashi: Është çështje që duhet ta zgjidhë koalicioni, nuk është më çështje e jona.

Periskopi: Ndërkohë është raportuar për kushtet e Listës Serbe dhe votën e tyre pro demarkacionit…?

Arben Gashi: Ka spekulime të ndryshme se Lista Serbe ka kërku koncesione si në Trepçë, në Asociacionin këto duhet shikuar me kujdes dhe nëse këto vërtetohen dhe nuk janë spekulime atëherë LDK do marrë qëndrimin e duhur dhe vendimin e duhur.

Periskopi: Që nga momenti kur Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga LVV, partitë politike kanë filluar me ftesat e tyre..Ndërkohë, kemi pasur një përplasje mes deputetit të LDK’së, Driton Selmanaj dhe nënkryetarit Agim Veliu lidhur me këtë çështje. A është e hapur LDK’ja për Shpend Ahmetin?

Arben Gashi: Nuk mendoj se ka një diskutim real dhe serioz për këtë çështje mes LDK’së dhe zotit Ahmeti. Mendoj se zhvillimet politike që kanë ndodhë mes LDK’së dhe zotit Ahmeti, ka kundërshti në mes por në të ardhmen duhet të shohim si do të zhvillohen ngjarjet.

Periskopi: Kohën e fundit është raportuar në media për përçarje të mundshme të LDK’së. Sa qëndrojnë këto raportime?

Arben Gashi: Unë nuk kam vërejt diçka të tillë. Nuk ka ndonjë potencial acarues brenda strukturave të LDK’së, nuk mendoj se është e saktë.

Periskopi: Zoti Gashi, në fund..a mund të na tregoni a ka diçka të re rreth shëndetit të kreut të LDK’së, z.Isa Mustafa?

Arben Gashi: Zoti Mustafa ka pasë një virus që i ka shkaktu probleme në ekstremitete, në duar dhe këmbë, kjo fazë po tejkalohet dhe ka progres.

Intervistoi: Besnik Veliu

Shpërndaje në: