Pas ratifikimit të Demarkacionit, mos prisni se menjëherë mund t’ia mësyni Evropës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në një intervistë për Periskopin flet për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, hedhjen e gazit lotsjellës gjatë seancës, procesin e liberalizmit të vizave dhe paditjen ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliu.
Në të njëjtën intervistë, Musliu flet edhe procesin e brendshëm zgjedhor në PDK e procesin e transformimit të FSK’së në Ushtri.
Intervista e plotë:
Fillimisht zonja Musliu do të dojë t’ju pyesja për seancën e djeshme. Ishte një seancë me gaz. Si ndikoi e gjitha në shëndetin tuaj së pari?
Seanca e djeshme besoj që nuk do shumë koment, sepse ishte shumë e hapur dhe transparente. Mediet kanë pasur qasje dhe qytetarët kanë qenë mirë të informuar sa i përket seancës. Ndërsa, sa i përket ndikimit në shëndetin tonë, vërtet ka qenë një seancë e vështirë dhe e lodhshme. Kemi pasur të gjithë nga pak probleme me kokëdhimbje, me djegie të syve e gjana tjera. Por, konsideroj se dje ka qenë dita e fundit që do të shohim skena të tilla në Kuvendin e Kosovës. Unë uroj dhe besoj se pamje siç janë transmetuar dje nëpër mediume botërore, mos t’i shohim më.
Dje në një prononcim për media raportuat se ju ka humbur kartela dhe ua ka marrë deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu. Thatë se do të shkoni në Polici. Nuk e dimë nëse keni shkuar për ta paraqitur rastin?
Sa i përket kartelave është e vërtetë. Tashmë është fakt i ditur dhe medialisht është raportuar për vjedhje të karteleve të deputetëve të koalicionit. Fillimisht i kam kërkuar kolegut tim, Liburn Aliu që të ma kthejë kartelën, sepse ajo më identifikon mua si deputete e Kuvendit të Kosovës dhe më hyn në shërbim për të kryer punët e mia në Kuvend. E kam lutur miqësisht që nuk është një gjest i mirë dhe të na kthejë. Ka hezituar dhe ka thënë se më nuk mund t’i kthejë sepse ato më nuk janë në objektet e Kuvendit. Ju keni mujt me pa se ka pasur prononcime të ndryshme dhe paraqitje në rrjete sociale, ku na kanë ftuar që t’i marrim kartelat diku nëpër kafiteri të Prishtinës. Unë kam deklaruar publikisht se do ta denoncojë rastin tim në Polici, pas kërkesës drejtuar Liburnit që të ma kthejë kartelën. E kam njoftuar edhe Liburnin. Dhe po, kam kryer punën time si deputete dhe kam mbajtur premtimin publik që kam thënë. Pas përfundimit të votimit, kam shkuar në Polici dhe e kam denoncuar për vjedhje Liburn Aliun.
A janë kthyer kartelat që i kishte marrë Liburni apo u janë dhënë kartelat e reja?
Jo nuk janë kthyer ato kartela. Edhe sot nuk di për fatin e atyre kartelave. Ne i kemi zëvendësuar me kartela të reja. Atë mungesë na ka plotësuar administrata e Kuvendit. Por është një fyerje për deputetët që të kërcënohen nga kafiteritë që eja nëse dëshiron t’i merrni kartelat. E kam parë si kërcënim direkt ndaj deputetëve.
Dje demarkacioni u ratifikua me 80 vota për. Një kohë të gjatë është diskutuar se Demarkacioni është një prej kushteve të vetme për liberalizim të vizave. Por, sot ndërkombëtarët, sidomos Zyra e BE’së dhe Natalyia Apostolova thanë se ka ende punë për t’u bërë. Po na del se është edhe një kriter tjetër deri te liberalizimi i vizave. Ai i luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit. A mendoni se është korrekte kjo ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse ata kanë pritur që të udhëtojnë lirshëm, menjëherë pas ratifikimit të Demarkacionit?
Nëse e keni dëgjuar me vëmendje fjalën time në Kuvend para dy netëve, pas 12ve. Ka qenë diku 12 e gjysmë kur e kam marrë fjalën në Kuvend. Një ndër ato që kam thënë ka qenë që edhe BE’ja duhet të turpërohet faktikisht me trajtimin që i ka bërë Kosovës dhe qytetarëve. Nuk po del se është një kriter shtesë, ka qenë në vazhdimësi. Por kohëve të fundit është shënuar progres në luftën kundër korrupsionit. Kështu është raportuar në vazhdimësi dhe po besoj se nuk ka më arsye që të shtyhet dhe të mbahet e izoluar Kosova dhe qytetarët e saj. Ne si deputetë te Kuvendit të Kosovës e kemi kryer një obligim që na ka qit si kusht BE’ja dhe dje përkundër të gjithë tmerrit që e kemi përjetuar, presionit psikik e fizik që kemi përjetuar në sallë, gjatë gjithë kohës jam ndjerë bukur e qetë në ndërgjegjen time dhe bukur mirë, duke e marrë në vazhdimësi edhe përkrahjen e qytetarëve të Kosovës dhe kërkesën e tyre për ta ratifikuar këtë marrëveshje. Unë besoj se qytetarët e Kosovës do të jenë gjithmonë vigjilent dhe do t’i përcjellin me maturi të gjitha ato që ndodhin në Kosovë dhe konsideroj se BE duhet t’ia jap dritën e gjelbër Kosovës dhe ta hjek këtë izolim që ia ka bërë Kosovës padrejtësisht. E them me bindje të plotë se ka qenë padrejtësisht vite me radhë.
Kur do të jenë në gjendje qytetarët që të lëvizin lirshëm në zonën shëngen. A mendoni se do të bëhet shpejt kjo, pasi kryetari i PDK’së, Kadri Veseli tha se mund të bëhet në fund të vit, në dhjetor. A mund të bëhet kjo kur ka edhe një kriter shtesë, siç është lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ndoshta mund të jetë problematike?
Unë asnjëherë nuk kam dëshirë që çështjeve të tilla t’u qasem në mënyrë dëshirore. Çka mund të them është që do të përpiqem maksimalisht që çdo kriter dhe çdo detyrë ta kryejmë me përgjegjësi të plotë. Liberalizimi i vizave nuk varet nga ne. Është dikush tjetër që e merr atë vendim. Nuk mund të flas për vendime për të cilat s’jam kompetente. Ne si deputetë jemi sfiduar më shumë se tre vjet edhe fizikisht, thjesht ne kemi arritur ta përmbyllim me sukses një detyrë që na është dhënë. Dhe qytetarët e Kosovës besoj se duhet të mirëkuptojnë deputetët edhe Kuvendin. Kërkesa duhet t’i drejtohet dikujt tjetër, jo Kuvendit. Ne si deputetë, merremi me ligjet që i ka Kosova. Ligjet shumë të mira janë bërë me standarde e këshilla që kanë ardh nga BE. Dhe neve na mbetet t’i mbikëqyrim ato ligje dhe t’i zbatojmë. Fatkeqësisht deri më sot kemi parë ngecje në zbatim të ligjit. Ndoshta janë këto temat e mëdha që e kanë ngulfatur Kosovën. Edhe në Kuvend jam munduar të paraqes tema që i shqetësojnë qytetarët, siç janë për shembull punëtorët e sektorit privat. Unë kam ngritur disa herë në Kuvend këtë çështje, por ka edhe të tjera. Por, temat e mëdha na kanë konsumuar energjinë politike, e temat që u interesojnë qytetarëve kanë mbetur larg vendimmarrësve.
Si i komentoni deklaratat e zyrtarëve të LDK’së, të cilët e kanë votuar Demarkacionin, por kanë thënë se Qeveria duhet të bie menjëherë pas votimit të demarkacionit? Mendoni se ka ende jetë kjo Qeveri, në krye me Ramush Haradinajn?
Asnjëherë nuk ka qenë në natyrën time t’i komentojë deklaratat, megjithatë meqë ka të bëjë me Qeverinë, qytetarët duhet ta dinë se nuk është në interes qytetar, që ne çdo herë të shkojmë në zgjedhje para kohe. Përveç buxhetit që duhet, duhet pasur parasysh edhe vonesat që po bëhen në vendimmarrje. Thjeshtë kanë bërë mirë dje që kanë qenë unik në votën për demarkacionin. Por një pjesë të fajit e kanë edhe ata për zvarritjen e demarkacionit. Ata nuk kanë qenë unik para tri viteve, kur qeveriste Mustafa. Ka pasur disa deputetë, të cilët e kanë kundërshtuar në vazhdimësi. Është Shpejtim Bulliqi, që ka qenë pengesë kryesore dhe ka krijuar një kauzë të rrejshme. Me ratifikimin e djeshëm u konfirmua se kauza për demarkacionin ka qenë e rrejshme e politike, që dikush e ka shfrytëzuar për me ardhë në pushtet.
Zotëri Haradinaj sot pati takim me Shpejtim Bulliqin, dhe ata kanë biseduar për formimin e një trupe të përbashkët me Malin e Zi për korrigjimin e demarkacionit, sipas versionit të Murat Mehës. A mendoni se ka vend për korrigjim të këtij versioni. A mendoni se është bërë ndonjë gabim, meqë Vetëvendosje thotë se janë humbur mbi 8 mijë hektarë?
Unë uroj edhe shpresoj se çdo gabim eventual të përmirësohet. Është mirë që si media t’i qaseni kodit buxhetor. Shihni sa buxhet ka shkuar për komisione e nën-komisione, të cilët nuk kanë bërë asgjë më shumë se komisioni i parë. Sa herë ka buxhet, ka me pas komisione e vullnetarë që e kundërshtojnë për përfitime personale. Unë mendoj se ka përfunduar demarkacioni dje. Ato komisione do të reformohen. Uroj të gjejnë gabime, sepse nuk dua t’i falet tokë askujt. Uroj që me Malin e Zi të mos kemi probleme për kufij, nëse ishin ndërru kufijtë me raporte e gaz lotsjellës, s’ka nevojë me u ndal këtu. Mundemi me vazhdu edhe më tej, me marr ma shumë territor. Sa më shumë që kemi, më mirë. Duhet të lirohemi nga komplekset e patriotizmit të rrejshëm, sepse nuk i bëjnë nder as Kosovës, as vetë atyre që ngrisin kauza të rrejshme.
PDK është një proces të brendshëm zgjedhor. Deri kur ka arritur dhe a do të jetë reformim i PDK’së, marrë parasysh rezultatet që s’iu keni pritur në zgjedhje. A pritet zëvendësim i figurave më të vjetra, me figura më të reja brenda PDK’së?
PDK e ka një të mirë që i ka krejt figurat e reja. Sepse kjo e re dhe e vjetër është mirë të specifikohet. Nëse e shohim moshën e anëtarëve të PDK’së, duke filluar nga liderët tek anëtarët më rinj, mesatarja na del goxha e re dhe këta njerëz kanë çka me i dhanë PDK’së. PDK është parti e hapur që është dëshmuar vazhdimisht. Në këto zgjedhje u kemi bërë thirrje të gjithë ata që mund të kontribuojnë, e kanë derën e hapur dhe janë të mirëseardhur. Çdo zgjedhje që bëhet. Vetë fjala zgjedhje të reja, nënkupton se do të ketë edhe ardhje të reja në pozita të caktuara. PDK po punon që të ketë proces demokratik e të hapur, ju ftojmë edhe medieve që të përcillni. Tani jemi në nivelin e zgjedhjeve për të rinjtë e PDK’së. Do të vazhdojmë me gruan demokratike dhe do ta përmbyllim me strukturat e PDK’së dhe unë konsideroj se është një mundësi e mirë për secilin qytetar që re gjen vetën brenda partisë, që të na bashkohet.
Megjithatë kur jemi te rezultatet zgjedhore, nuk është që PDK i ka pritur ato rezultate zgjedhore ndoshta kanë qenë pak zhgënjyese. A mendoni se ka ndikuar pak shkuarja e zotit Thaçi në dy palë zgjedhjet e kaluara për PDK’në?
PDK është me fat që në krye të saj është kryetar aktual, Kadri Veseli. Është lider i pakontestueshëm, dhe tashmë është dëshmuar sepse kemi pasur periudhë jo të lehtë politike në të cilat ka kaluar Kosova në vitet e fundit. Konsideroj se PDK pavarësisht rezultatit, krenohet me pozitën që e ka në qeverisje. Sepse me qenë gjatë në qeveri edhe më qenë më të mirët e botës ta konsumon energjinë dhe prapë se prapë ka nevojë për ndryshime. Kjo ka ndodhur. Sot mund të them se pavarësisht rezultatit, qytetarët e duan fuqizimin e PDK’së dhe po e shohin se rezultatet që ka pasur Kosova gjatë qeverisjes së PDK’së, nuk ka arritur asnjë qeverisje tjetër. Nuk na demotivon rezultati, por na motivon të jemi stabil e në shërbim të qytetarëve, për të ndihmuar zhvillimin e fundit.
Edhe një pyetje të fundit për Ushtrinë e Kosovës që planifikohet të bëhet në të ardhmen. A mendoni se po bëhet mjaft dhe a mendoni se do të bëhet tash edhe Ushtria e Kosovës, pasi është përfunduar një temë e madhe si Demarkacioni.
Sa iu përket formimit të Ushtrisë, unë konsideroj se ushtrinë e kemi, sepse thjesht do të bëhet ndërrim i emrit, por nuk na pengon asgjë që me ligjet që i kemi ta strukturojmë e ta pajisim ushtrinë. Ndërrimi i emrit nga FSK në forca të armatosura, e ka problemin kryesor që është me ndryshime kushtetuese. E dini se për tu bërë ndryshime në kushtetutë, na duhet 2 të tretat e votave të serbëve që janë në Kuvend. Nëse ne themi se a do ta bëjnë ata, ne e dimë çka ka menduar dhe çka mendon vazhdimisht Serbia për Kosovën. Megjithatë konsideroj se nuk është e pamundur. Jemi në rrugë të drejt. Na duhet qetësi e maturi. E kemi pasur një rast më 2014, por e kemi humbur. Nuk e kemi bërë një tolerim të vogël, sepse edhe në Kuvend na është përmendur se nuk duam t’ua japim mundësinë edhe një mandat të rezervuar për partitë serbe e dëmi do të ishte më i vogël, sepse do ta kishim ushtrinë e nuk do ta kishim Listën Serbe. Konsideroj se si klasë politike duhet të tregohemi më të pjekur karshi temave jonacionale, siç është ushtria. T’i lëmë inatet personale ne duhet të dalim mbi vetë vetën dhe partinë. Pa dashur ta atakoj asnjë politikan, kisha dashur që partitë shqiptare, domethënë deputetët shqiptarë, pa më keqkuptuar minoritetet, kur kemi të bëjmë me tema nacionale është e turpshme të marrim një deputet serb apo cilit do deputet me na bë një numër, e partitë shqiptare mos me qenë të gatshme të marrin vendime edhe për ushtrinë edhe demarkacionin e gjana tjera. E dimë se Kosova është e plotë kur ne kemi të definuar qartë kufijtë e Kosovës. Atëherë mundemi me prosperitu edhe në organizmat tjetër ndërkombëtarë. Sa më shpejt që i kryejmë punët, më mirë për vendin. Nuk është e lehtë të merren vendime të tilla, jam e vetëdijshme, andaj e kemi besimin e qytetarëve. Ata nuk na kanë votuar me ardh në Kuvend me marr privilegje, por për të marr vendime të vështira kur është e nevojshme.
Faleminderit që pranuat ftesën për intervistë
Ju falënderoj edhe juve. Të gjithë dëgjuesve ju uroj një ditë të mbarë dhe uroj ta duan më shumë njëri tjetrin dhe mos të presin që tani është bërë demarkimi i kufirit dhe menjëherë t’ia mësojnë Evropës dhe të kërkojmë azil nëpër vendet tjera. E kam thënë edhe në fjalën time të fundit se duhet të jemi të vetëdijshëm t’i shfrytëzojmë mundësitë që na jep liberalizimi./Periskopi



