Austria nuk i beson asnjë dokumenti të institucioneve të Kosovës
Ish-drejtori i Axhencisë për Akreditim, Blerim Rexha, të cilin pas ardhjes në pushtet, Ramush Haradinaj e shkarkoi, përmes një postimin në profilin e tij në Facebook ka shfaqur habinë e tij me kërkesën që ka një vend mik i Kosovës, siç është Austria, për studentët e Kosovës, raporton Periskopi.
“Një vend mik dhe mbështetës historik i Kosovës, po kërkon vetëm për studentët e Kosovës që diplomat e tyre të vërtetohen me disa vula apostile dhe përfundimisht të vërtetohen edhe përmes Ambasadës Austriake ne Kosovë. Habia ishte edhe me e madhe kur kuptova se kjo kërkesë vlen për të gjitha institucionet e shtetit të Austrisë. Kërkesa të njëjta për vula apostile (legalizim) kishte edhe nga Gjermania, Zvicra dhe vende tjera. Si ka mundësi një vend mik të mos i besoj asnjë dokumenti të shtetit tonë, as atyre që lëshon edhe Universiteti i Prishtinës (UP), i mbështetur kaq shumë nga Qeveria e Austrisë?”, ka thënë Rexha.
Qeveria e Austrisë nuk kërkon vula apostile (legalizim) për dokumente nga Serbia, Bosna, Maqedonia dhe as nga Mali i Zi!
Ky është postimi i plotë i tij:
Vulë, mbi vulë, mbi vulë, mbi vulë të diplomës!
Javën që shkoi më rastisi të bëjë gati dokumentet për Gentin, për vazhdim të studimeve master në Universitetin Teknik të Vjenës. Dhe pikërisht aty filluan habia, absurdi dhe nënçmimi!
Habia – ishte kur kuptova që Universiteti Teknik i Vjenës (https://ëëë.tuëien.ac.at/…/2018Ansuchen_Master_mit_MB_engli… , faqe 3) nga një vend mik dhe mbështetës historik i Kosovës, po kërkon vetëm për studentët e Kosovës që diplomat e tyre të vërtetohen me disa vula apostile dhe përfundimisht të vërtetohen edhe përmes Ambasadës Austriake ne Kosovë. Habia ishte edhe me e madhe kur kuptova se kjo kërkesë vlen për të gjitha institucionet e shtetit të Austrisë. Kërkesa të njëjta për vula apostile (legalizim) kishte edhe nga Gjermania, Zvicra dhe vende tjera. Si ka mundësi një vend mik të mos i besoj asnjë dokumenti të shtetit tonë, as atyre që lëshon edhe Universiteti i Prishtinës (UP), i mbështetur kaq shumë nga Qeveria e Austrisë? Qeveria e Austrisë nuk kërkon vula apostile (legalizim) për dokumente nga Serbia, Bosna, Maqedonia dhe as nga Mali i Zi!
Absurdi – vazhdoi pasi u pajtova me habinë dhe fillova të ndjek udhëzimet për marrjen e vulave apostile, se pari nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) pastaj nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe përfundimisht nga Ambasada e Austrisë. Formulari për MASHT kërkon që diplomën e nënshkruar nga Dekani dhe Rektori të verifikoj sekretari i fakultetit! Çfarë absurdi? Vartësi i Dekanit dhe Rektorit të verifikoj se dokumenti dhe nënshkrimi i tyre është autentik! Kështu zyrtari i MASHT-it vendosi edhe një vulë mbi vulën e UP-së. Edhe një vulë të dytë vendosi zyrtari i MPJ, në diplomën e UP-së me nënshkrime të Dekanit dhe Rektorit dhe vulën e zyrtarit të MASHT-it! Sikur kjo të mos mjaftojë edhe një vulë mbi vulën e UP-së, mbi vulën e MASHT-it dhe vulën e MPJ-së vendosi edhe Ambasada Austriake. I pagova gati mbi 200 euro taksa, dhe u konfirmua se dokumenti është autentik i UP-së!
Nënçmim – është krejt ky proces që po i bëhet punës së UP-së dhe nënshkrimit të Dekanit dhe Rektorit. Pas nënshkrimit të Rektorit, prijësit të dijetarëve të vendit, nuk do të duhej të kishte më nënshkrime të tjera. Nënshkrimi i tij është përfundimtarë! Nënshkrimet e të tjerëve, vartësve dhe zyrtarëve të ministrive, nuk e rrisin besueshmërinë por nënçmojnë nënshkrimin e Rektorit!
Si ka mundësi të jetë kështu, kur pothuajse çdo jave prijësit e MASHT dhe MPJ kalojnë kah Vjena dhe nuk ngrisin këtë turpërim dhe nënçmim që po iu bëhet fëmijëve tanë, institucioneve tona dhe atyre direkt?



