Messi e pranon se nuk di t’i gjuajë penalltitë

Messi e pranon se nuk di t’i gjuajë penalltitë

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, në shumicën e rasteve duket si i pagabueshëm. Mirëpo ai ka pranuar se ekziston një element i futbollit, me të cilin ka më së tepërmi telashe.

Ndonëse vazhdimisht merr përgjegjësi për të gjuajtur penalltitë si për klub ashtu edhe për përfaqësuese, Messi pranon se penalltitë janë dobësia e tij dhe është një gjë që duhet përmirësuar, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.

Talenti i tij për goditje nga pika e bardhë është vënë në pyetje gjatë verës, kur ai humbi një penallti vendimtare për Argjentinën në përballjen e parë të Kupës së Botës në Rusi ndaj Islandës.

Messi ka shpjeguar se pse penalltitë janë mjaft të vështira, madje edhe për lojtarët më të mirë në botë.

“Unë do të doja të isha më efikas nga penalltitë. Por është e vështirë të punosh në ekzekutim të penalltive. Nuk është njëjtë të gjuash një në stërvitje me një në lojë. Mund të kesh ide në kokë apo diçka të cilën ke ushtruar, por është më e vështirë sesa duket. Portieri është një pjesë shumë e rëndësishme. Nëse ai e qëllon se në cilën anë do të gjuash, atëherë e pret penalltinë. Por është e qartë se unë dua të ekzekutoj penalltitë më mirë”, ka thënë Messi për “Radio Catalunya”.

Messi është paraqitur për Barcelonën në fitoren që skuadra e shënoi me shifrat 2:1 në udhëtim të shtunën ndaj Real Sociedadit, duke mbajtur bilancin e qind për qind pas katër xhirove në La Liga.

Messi nuk ishte në gjendje të shënonte gol në këtë ndeshje. Ai luajti në një rol më qendror, por është i lumtur të ndërrojë pozitat për të mirën e skuadrës.

Në mediumet amerikane është raportuar se Messi po shënjestrohet nga skuadra Inter Miami, që është pronë e David Beckhamit. Inter Miami do të debutojë në ligën MLS në vitin 2020 dhe Beckham shpreson të sjellë Messin në stinorin debutues. Po ashtu Beckham ia ka vënë syrin edhe yllit portugez të Juventusit, Cristiano Ronaldo.

Shpërndaje në: