Konfirmohet: ‘Xhebrailat’ dhe ‘Vreshtarët’ arrin marrëveshje pajtimi, nuk ka më dhunë mes tyre!
Edhe zyrtarisht është konfirmuar për Periskopin takimi mes ‘Xhebrailave’ dhe ‘Vreshtarëve’, ndërsa është arritur marrëveshje për pajtim mes tyre.
Ishte spekuluar ditëve të fundit për një takim të mundshëm mes dy tifozërive, por kishte ndodhur para dy ditëve pa bërë zhurmë të madhe.
Tifozëritë nga Suhareka respektivisht Rahoveci kishin rivalitet të madh mes tyre, i cili kishte filluar shumë vite më parë, ndërsa eskaloi në organizimin e Kupës së Kosovës, që u mbajt në ‘qytetin e rrushit’.
Aty pati edhe dhunë kur disa ‘Vreshtarë’ u munduan ta kapnin transparentin e ‘Xhebrailave’ gjatë ndeshjes mes KB Yllit dhe KB Prishtinës.
”Jemi taku pardje. Kanë qenë të pranishëm kryeprokurori i shtetit, koloneli i Policisë, kryetarët e komunave, përfaqësuesit e klubeve dhe të tifozëve. Kemi arrit marrëveshje që mos me pasë më dhunë dhe ta shijojmë sportin”, ka thënë një burim për Periskopin.
Ky gjest ka marrë edhe duartrokitje, por edhe komente negative për shkak të ndërhyrjes së politikës. Kujtojmë që të dy kryetarët e komunave respektive vijnë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj i Suharekës dhe Smajl Latifi i Rahovecit.
Një tjetër kritik ka qenë se rivaliteti ka ekzistuar gjithmonë në sportin kosovar dhe nuk mund të shuhet, pasi një gjë e tillë është normale kudo në botë. /PERISKOPI/



