Egzon Azemi akuzon Blerim Isufajn për vendimin e Gjykatës ndaj tij
Gjykata Themelore të martën dënoi deputetin e Vetëvendosjes Egzon Azemin e zëdhënësin e Qeverisë Arlind Manguxha me nga një vit e gjysmë burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. E, dy aktivistë të tjerë i dënoi me nga 6 muaj burgim për kanosje.
Azemi e ka vlerësuar të padrejtë vendimin për ndryshim të masës së paraburgimit ndaj Dejan Pantiqit, ish-polic serb i Policisë së Kosovës, i arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për organizmin e sulmit terrorist të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e banuar me shumicë serbe.
E për lirimin e Pantiqit, ashtu si edhe për vendimin ndaj tij e të tjerëve të LVV-së, Azemi akuzon kryeprokurorin Blerim Isufaj.
“Unë dyshoj shumë se prapa gjithë këtyre qëndron Blerim Isufaj që ka udhëhequr me Prokurorinë Speciale. Qasja e tij jokonstruktive, e ka edhe një deklaratë ku pranon që ai e ka tërhequr fletarrestin ndaj Radoiçiqit. Për të gjitha këto vendime të padrejta përgjegjësi është Blerim Isufsaj… Dyshoj se eksponentë të kësaj prokurorie mund të jenë të shantazhuar apo të frikësuar nga burime të tilla”, ka thënë ai në “Koha”.
Azemi ka theksuar se vendimi nuk u prit mirë duke e quajtur atë “politik” e të “padrejtë”.
“Nuk ishte vendim që e pritëm mirë sepse jemi të bindur se është politik, i padrejtë, vendim që tenton t’i frikësojë ata që reagojnë kundër vendimeve të padrejta gjyqësore. Është politik sepse nuk është rasti i parë e as i fundit që institucionet e drejtësisë, individë brenda tij, më shumë punojnë sipas agjendave të dikujt sesa në bazë të agjendave të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka krahasuar tutje rastin ndaj tyre si të akuzuar me atë ndaj Pantiqit.
“E njëjta prokurore që kërkoi dënim ndaj nesh, i liroi dje apo pardje disa serbë që u arrestuan nga Policia në veri edhe pse u gjetën më shumë simbole provokative kundër shtetit të Kosovës. E njëjta prokurori, Prokuroria Speciale, e liroi Dejan Pantiqin që hodhi bombë ndaj institucioneve dhe e njëjta ngriti aktakuzë ndaj nesh sepse citova një hero kombëtar. Çka vepron Prokuroria Speciale në Kosovë, i liron kriminelët serbë e na akuzon ne që reagojmë ndaj tyre”, u shpreh Azemi.



