Qindra njerëz shohin të shokuar dhe në lot teksa digjet pallati 12-katësh në Tiranë
Këto pamje dramatike janë regjistruar gjatë momentit që digjej një pallat 12-katësh shumë pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.
Me qindra njerëz bllokuan rrugën kryesore, teksa vështronin të shokuar dhe në lot godinën e cila u përpi nga flakët në fasadën e jashtme brenda pak minutash. Disa prej tyre duken të tronditur, ndërsa policia vendosi perimetër sigurie në mënyrë që të mos afroheshin pranë zjarrit.
Mbi tre orë në luftë me flakët kaluan 100 forca zjarrfikëse, të ndihmuara edhe nga dy helikopterë Cougar për shuarjen e zjarrit. Nga informacionet e deritanishme, dyshohet se zjarri nisi nga katet e para në rrethana të paqarta, ndërsa u hap me shpejtësi deri në katin e 12-të.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikse arriti të evakuuojë në kohë banorët e pallatit, ndonëse pati edhe qytetarë të asfiksuar. Pallatit i mungonin shkallët e emergjencës, ndërsa u deshën shkallët e zjarrfikëses për të nxjerrë të moshuarit, raporton TCh, transmeton Periskopi.
Mes të lënduarve ishin edhe 6 zjarrfikës, si dhe një punonjës policie, të cilët u dërguan në QSUT që ndodhet pranë pallatit ku ra zjarri. Nga banorët e lënduar, një grua ka pësuar lëndime të shkallës së parë.
Në vendin e ngjarjes ishin edhe drejtori i policisë së Shtetit z.Skënder Hita, i cili tha se forcat Rena u aktivizuan për të hapur çdo derë të bllokuar të pallatit.
Grupi hetimor do të përcaktojë shkakun e rënies së zjarrit në pallatin, i cili rezulton të jetë përfshirë nga flakët edhe në vitin 2021, ku ishte në ndërtim e sipër./Periskopi
Pamje KËTU



