Ekskluzive: Edhe Qeveria e Britanisë alarmon qytetarët – Terroristët mund të sulmojnë Kosovën
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës [ShBA] alarmoi para disa ditësh qytetarët e saj që do të merrnin rrugë për në Kosovë se kishte kërcënime dhe rrezik potencial për sulme terroriste. Edhe Qeveria britanike e ka përditësuar informacionin e saj për Kosovën.
Në faqen e qeverisë së këtij vendi, në seksionin e terrorizmit, shkruhet se “terroristët është e mundur të kryejnë sulme në Kosovë. Sulmet mund të bëhen pa dallim, përfshirë edhe vendet që vizitohen nga të huajt, në tubime të mëdha publike dhe evente kulturore. Terroristët mund të sulmojnë edhe vendet religjioze, përfshirë kishat.”, raporton Periskopi.

Nuk dihet nëse këto informacione të përditësuara nga qeveria amerikane dhe ajo britanike bazohen në punën e shërbimeve të tyre të inteligjencës.
Sidoqoftë, në po të njëjtën faqe, ofrohen edhe informacione të tjera, e të cilat duket se janë dhënë në një formë jo aq të kujdesshme.
Qeveria iu kërkon qytetarëve britanikë që do të vizitojnë Kosovën që të ruhen nga krimet e rrugës. Sidomos nga ata që mund t’iu vjedhin kuletat nëpër aeroportE apo në përgjithësi kur përdorin transportin publik. Por pse fjala “aeroportE” është shkruar me një E të madhe? Sepse Kosova e ka vetëm një aeroport të qasshëm, atë të Prishtinës “Adem Jashari”, dhe kjo tregon që me shumë gjasë informacioni i ofruar është shabllon që i përgjigjet ndonjë skene informacion-dhënëse për vendet e tjera.

Po ashtu, udhëzohen britanikët që të shmangin të gjitha udhëtimet drejt komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Sa i përket shëndetit, britanikët informohen se rriqërat “Ethja Hemoragjike Crimean Congo” është endemike në Kosovë, dhe se përveç Malishevës që është në qendër të Kosovës afektohen edhe zonat e tjera rurale./Periskopi



