A e ndaloi një moderator televiziv sulmin e SHBA mbi Iranin?

Heiko Roloff Op-Ed

Politika e 73-vjeçarit Donald Trump me Iranin ka bërë që bota të zhytet në pikëpyetje. Çfarë fshihet pas rrëmujës në lidhje me një sulm të anuluar si reagim ndaj rrëzimit të dronit amerikan? Një lëvizje e zgjuar shahu? Respekt për jetët njerëzore apo thjesht një ndjesi e brendshme?

Nju Jork Tajms tani ofron një përgjigje shumë më të ndryshme.

Sipas gazetës, fjalët e 50-vjeçarit Tucker Carlson kanë bërë ndryshimin. Ky njeri nuk është gjeneral, nuk është në kabinetin e Trump- ai është moderator i televizionit Fox News!

Carlson thuhet se ka folur disa herë me presidentin amerikan gjatë ditëve të fundit. Të enjten në mbrëmje ai kishte thënë në një program televiziv: “Nëse do të ketë një luftë, ai ta harrojë se do rizgjidhet”.

Presidenti e dëgjoi atë – dhe fjalët e Carlson duket se peshonin më shumë tek Trump se ato të ekspertëve. Sepse menjëherë pas kësaj, ai thuhet se anuloi sulmin ndaj Iranit.

Edhe eksperti amerikan i shkencave politike, Christian Hacke beson se vendimi i Trump ka lidhje me fushatën zgjedhore. “Për Trump, tani gjithçka është politikë e brendshme në model fushate”.

“Duke anuluar urdhrin për luftë, Trump po prezantohet si paqedashes. Kjo varet. Edhe nëse ai rrezikon përplasje me Bolton (Këshilltari i Sigurisë, John Bolton) dhe ushtrinë, ai fiton respektin në ambientet politike”.

Hacke thotë se vendimi i Trump ishte një taktikë e shkëlqyer. “Trump është nënvlerësuar vazhdimisht, veçanërisht në Gjermani. Por ai po rezulton gjithmonë e më shumë si një politikan i zgjuar, një manipulator i larë me të gjitha ujërat”.

Pas anulimit të urdhrit për sulm mbi Iranin, Këshilltari i Sigurisë në SHBA, John Bolton e paralajmëroi Teheranin që të mos e marrë për dobësi kujdesin e qeverisë amerikane.

“As Irani dhe asnjë aktor tjetër armik nuk duhet ta ngatërrojë kujdesin dhe maturinë e SHBA me dobësinë”, tha Bolton të dielën në Jeruzalem.

“Ushtria amerikane është gati për aksion,” shtoi ai.

E enjtja dramatike

Sesa afër ishte bota ndaj një sulmi të SHBA mbi Iranin, gazeta e ilustron me një kronologji të ngjarjeve të enjten e shkuar.

-Këshilltari për Sigurinë, John Bolton, 70 vjeç, mbërriti për mëngjes të enjten në orën shtatë të mëngjesit në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përkohshëm të Mbrojtjes, Patrick Shanahan; me kandidatin e Trump për shef të Pentagonit, Mark Esper; me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneralin Joseph Dunford Jr. Ekipi e informoi presidentin Trump për rrëzimin e një avioni pa pilot të SHBA nga Irani.

Këshilla e tyre: Amerika duhet të dërgojë një sinjal të qartë për regjimin në Teheran.

-Rreth orës 11:00, i njëjti grup u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Këtë herë në tryezë ishin më shumë se dymbëdhjetë opsione për një sulm hakmarrës, disa prej të cilave ishin përgatitur pas sulmeve mbi dy anije cisterna në Gjirin e Omanit.

Opsionet u reduktuan në dy skenarë. Ato planifikonin shkatërrimin e radarëve dhe raketa- hedhëseve.

Ironia: ushtaraku më i lartë në këtë ekip ishte i vetmi që paralajmëroi për pasojat e një sulmi. Gjenerali Dunford tha se ai mund të rrezikojë ushtarët amerikanë dhe aleatët e SHBA në rajon.

Sipas Nju Jork Tajms, një avokat i Pentagonit kishte dhënë një vlerësim të mundshëm të numrit të viktimave në rast sulmi, diçka e zakonshme në raste të tilla.

Trump deklaroi më vonë se vendosi të mos hidhte bomba për shkak të frikës se mund të kishte së paku 150 viktima. Por sipas gazetës, diskutimi për numrin e viktimave luajti një rol më të vogël.

-Trump ndërkohë mori këshilla nga jashtë si zakonisht, duke përfshirë këtu senatorin Lindsey Graham. Ai kërkoi gjithashtu një përgjigje ushtarake.

-Nga ana tjetër, presidenti Trump kishte marrë informacione se udhëheqja politike e Iranit ishte tmerruar nga rrëzimi i dronit amerikan.

-Në orën 15:00, Trump thirri drejtuesit kryesorë të Kongresit në Dhomën e Situatave, për t’i përditësuar për gjendjen.

-Sulmi ajror po afrohej gjithmonë e më shumë. Trump u konsultua sërish me senatorin Graham atë mbrëmje. Ai ishte në një avion rrugës për në Kaliforni.

-Në orën 20:00, presidenti më në fund ndezi televizorin në Shtëpinë e Bardhë për të parë programin e Tucker Carlson. Dhe ai tha diçka që Trump e kishte deklaruar vazhdimisht në fushatën zgjedhore të vitit 2016: Luftërat jashtë vendit sjellin rënien e Shteteve të Bashkuara të Amerkës.

Carlson sulmoi edhe ‘skifterët’ e ekipit të Trump, kur tha: “Ju nuk keni interesat e presidentit në mendje”. Një sulm mund të kthehej në luftë shumë shpejt, pa sjellë një fitore. Dhe kjo është e kundërta e premtimeve zgjedhore të Trump në vitin 2016, përcjell mapo.

Këto fjalë duket se ndikuan tek kreu i shtetit: Pak më vonë ai njoftoi se do anulohet sulmi mbi Iranin duke u treguar kritikëve se nuk është aq agresiv sa dyshojnë.

Vlerësime për Trump

“Ndërsa Trump shfaqet luftarak dhe konfliktual në publik, ai gjithmonë përmbahet kur bie fjala tek dhuna,” shkruante Nju Jork Tajms. “Ai është i bindur se Amerika ka humbur shumë jetë dhe shumë para në luftërat e pakuptimta në Lindjen e Mesme dhe nuk dëshiron të përsërisë gabimet e paraardhësve të tij”.

Edhe senatori republikan, Jim Risch, që mori pjesë në konferencën e Dhomës së Situatave të enjten, tha në një intervistë: “Kushdo që kritikon presidentin, duhet të jenë me fat që nuk u bie të marrin atë vendim. E pashë se sa shumë e torturoi veten”.

Ndërkohë, Irani mund ta lexojë si fat që presidenti Trump e fiku televizorin e tij pas emisionit të Tucker Carlson. Sepse më pas nisi programi i Sean Hannity në Fox News. Ai kërkoi: “Ta bëjmë ferr Iranin me bombardime”.

Gazeta Bild

Shpërndaje në: