A ka fjetë mbrëmë zv.kryeministri Besnik Bislimi?

A ka fjetë mbrëmë zv.kryeministri Besnik Bislimi?

Në kuptimin më të ngushtë, nëse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk fle kurrë, siç edhe tha kryeministri Albin Kurti, shkaku i gajles për rrymën në veri, kjo do të ishte e dhimbshme, njëherit shqetësuese. Dhe, nëse përnjëmend është kështu, ne do ta pyesim për çdo ditë zëvendëskryeministrin: a fjete hiç mbrëmë? Dhe, nëse përnjëmend është kështu, ne do të donim që zyra e zëvendëskryeministrit, ta caktonte një ‘zëdhënës për gjumë’.

Shkruan: Dafina Demaku

Nuk ka nevojë për rezultate të ndonjë laboratori shkencor, që ta dimë se çdokush që ka halle, gjumin nuk e bën edhe aq rehat, krahasuar të paktën me ata që nuk kanë. Por, këtë informacion, ne e ndajmë ndonjëherë vetëm me të afërmit tonë e ndoshta shpesh nuk e ndajmë fare, sepse në këtë jetë dinamike, është bezdisëse të çohesh çdo mëngjes, dhe t’ua kumtosh lajmin familjes se nuk ke fjetë rehat.

Por, nga kjo informatë, ka zgjedhur të mos na privojë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, dhe kjo po i kthehet në shprehi. Herë na ka treguar vetë, e herë (së fundmi p.sh), përmes kryeministrit Albin Kurti.

Ja kështu, Zyra e Kurtit dhe Zyra e Bislimit, na privojnë nga lloj-lloj informacionesh të rëndësishme për procese të ndryshme që kërkojmë ne si gazetarë, por këtë për gjumin e parehatshëm, zakonisht na e japin pa ua kërkuar.

Bislimi në prag të fitores së madhe të Vetëvendosjes, që edhe parashihej të ndodhte, na kishte treguar se ‘s’po mundet të fle rehat, shkaku i fitores që i priste’. Ndërkaq, dje kryeministri Kurti tha se dyshon nëse Bislimi po fle natën, shkaku i udhërrëfyesit për rrymën në veri.

“Ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër një me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im, nëse fle, Besnik Bilsimi, sepse nuk ka gjë sot më të rëndësishme për të por edhe do të thosha edhe për shtetin tonë që të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar dhe në këtë mënyrë edhe stabilitetin energjetik në Kosovë”, deklaroi Kurti dje.

Fjalori viktimizues & një situatë imagjinare

Është më se evidente, se kryeministri Kurti ka ndryshuar të shprehurën politike, prej kur është në pushtet.

Dhe, këtë, nuk po e themi për kritikë, por vetëm sa për të mos e harruar. Për shembull, në njërën nga intervistat e fundit të Çim Peka, kur u pyet për njëfarë aksioni të Edi Ramës derisa Kurti ndodhej në Shqipëri, që Çimi ia interpretoi si provokim të Ramës ndaj tij (Kurtit), kryeministri tha se ‘nuk është marrë me të’ sepse ‘nuk po ka kohë të merret më me këso gjëra që s’janë të rëndësishme për të’.

Dhe, vazhdoi tutje Kurti, se me këso gjërash, ndoshta merrej më shumë në opozitë.

Pra, këto aksionet simbolike, me të cilat Kurti u rrit politikisht, tani janë krejt diçka sipërfaqësore që për të s’kanë rëndësi, dhe me formën e përmbajtjen e tyre, nuk merret fare.

Kryeministri është tani Njeriu i Hilltit, që punon pa ndërprerë dhe ka shumë gajle, dhe, ja fati e deshi që njëjtë të ndodhë edhe me zëvendësin e tij, Besnikun. Është njeriu i ‘hjekave’ që fati ia ka përcaktuar ‘t’i fusë duart në baltë’ dhe dalëngadalë, ‘ta pastrojë atë’.

Në një situatë imagjinare, nëse Populli ose gjysma e ‘pjesëtarëve të popullit’ do të mund t’ia kumtonte Kurtit lajmin se sa herë nuk e bën gjumin rehat, kjo do të ishte tmerri vetë.

A po fle rehat, populli, me çmimet shtrenjta në të gjitha produktet bazë ushqimore?

A po fle populli rehat, me këtë çmim të shtrenjtë të naftës?

A po fle populli rehat, me këtë shëndetësi të dërrmuar, që Qeveria Kurti nuk është se po dertohet ta rregullojë pak situatën?

A po fle rehat populli, rinia e të cilit, dergjet para dyerve të Ambasadave?

Informacioni se një figurë me peshë politike, një burrështetas, nuk e bën gjumin rehat, është interesant kur e lexojmë nëpër histori dhe me emra si Çurçill, Ruzvelt, dhe hajde në kohën tonë, Volodymyr Zelensky.

Ama, nëse Kurti dhe Bislimi, e bëjnë zakon të na tregojnë se kur nuk po flenë rehat, shkaku i marrëveshjeve me Serbinë, kjo është e tepërt.

Nesër, mund të ketë marrëveshje edhe më të rëndësishme, edhe më të rënda. Çka do të ndodh me gjumin e burrështetasve tonë?

 

 

Shpërndaje në: