A mund ta dekretojë Vjosa Osmani Kryeprokurorin e Shtetit në fund të mandatit? Ja çfarë thonë juristët
Dy juristë në Kosovë vlerësojnë se presidentja e vendit ende i ka kompetencat kushtetuese për të dekretuar Kryeprokurorin e Shtetit dhe se nuk ekziston asnjë pengesë juridike për një veprim të tillë.
Avokati Xhevdet Smakiqi ka deklaruar për Periskopin se në aspektin formal juridik dhe kushtetues, mandati i presidentes Vjosa Osmani mbetet efektiv deri më 5 prill 2026.
“Në kuptimin formal juridik kushtetues mandati i plotëfuqishëm i presidentes është efektiv deri më 05.04.2026 dhe nuk ekziston asnjë pengesë që ia kufizon kompetencat kushtetuese, pa përjashtuar edhe dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, ka deklaruar Smakiqi.
Megjithatë, ai ka theksuar se zhvillimet politike kanë ndikuar në ushtrimin e këtyre kompetencave. Sipas tij, vet presidentja ka pranuar publikisht se ka pasur aranzhmane për caktimin e datës së zgjedhjeve me kryetarin e Lëvizja Vetëvendosje, çka, sipas Smakiqit, tregon për ndikim politik në vendimmarrje.

Ai përmendi edhe faktin se kryeministri Albin Kurti kishte kundërshtuar në Kuvend dekretimin e Blerim Isufaj si Kryeprokuror të Shtetit, kandidat i propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
“Me dekretimin e tij, presidentja do të dëshmonte se e ka nxjerrë veten nga diktati politik dhe do t’i bënte dobi interesit shtetëror duke i ushtruar kompetencat kushtetuese në mënyrë autonome”, ka thënë Smakiqi.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe avokati Skender Musa, i cili thotë se Kushtetuta nuk parasheh ndonjë ndalesë që presidentja të ushtrojë kompetencat e saj edhe në këtë fazë të mandatit.

“Presidentja mundet t’i ushtrojë kompetencat e veta, gjithashtu edhe sa i përket Kryeprokurorit dispozitat kushtetuese nuk shohin asnjë ndalesë për presidenten që t’i emërojë të propozuarit e Këshillit Prokurorial dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në bazë të dispozitave kushtetuese nuk e ka asnjë ndalesë, për shkak se i ka edhe 30 ditë mandat”, ka deklaruar Musa per Periskopin.
Sipas tij, për sa kohë që mandati i presidentes nuk ka përfunduar, ajo ka të drejtë të ushtrojë të gjitha kompetencat e përcaktuara me Kushtetutë, përfshirë edhe dekretimin e zyrtarëve të propozuar nga institucionet e drejtësisë./Periskopi/



