A mund t’i arrijë Izraeli synimet pa armët amerikane?

A mund t’i arrijë Izraeli synimet pa armët amerikane?

Joe Biden ka paralajmëruar se SHBA-të do të ndalojnë së furnizuari me armë Izraelin nëse forcat e saja kryejnë një ofensivë në shkallë të plotë në Rafah.

Kjo shënoi paralajmërimin më të fortë deri më sot për këtë çështje.

Por a mund t’i arrijë Izraeli qëllimet pa armët amerikane?

Analisti ushtarak britanik, Sean Bell thotë se “ka shumë të ngjarë që ata të munden”, raporton skynews.

“Edhe pse SHBA-ja ka thënë se po ndalon furnizimin me armë, nuk do të ndalojë furnizimin me armë mbrojtëse”, thotë ai.

Bell thotë se Izraeli do të ketë “stoqe të konsiderueshme” dhe do t’i përdorë ato nëse merret vendimi për të shkuar në Rafah.

“Rafah është gjithashtu një zonë relativisht e vogël, kështu që duket se nuk ka gjasa të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm ushtarak”, pohoi analisti dhe shtoi se komentet e presidenti amerikan kanë më shumë gjasa të jenë vetëm “deklarata politike”.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se Izraeli duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur popullsinë civile dhe çdo komb që i ofron armë një vendi që më pas i përdor ato në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, gjithashtu bëhet i prekshëm”, thotë ai.

“Unë mendoj se kjo është një deklaratë vërtet e qartë nga Presidenti Biden. Ai nuk dëshiron të njolloset si të gjithë. Unë nuk mendoj se do të ketë një ndikim ushtarak, por mendoj se ky është një reflektim i zhgënjimit që Biden ndjen me veprimet e kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahut”, përfundoi ai.

Ndryshe, trupat izraelite pritet që të zgjerojnë shkallën e ofensivën në Rafah, pas sulmeve të para të ditëve të kaluara.

Izraeli ka nisur një ofensivë në territoret palestineze më 7 tetor pas sulmit terrorist të Hamasit në shtetin izraelit. Deri më tani raportohet se janë vrarë 34,262 palestinezë dhe 1,410 izraelitë. /Telegrafi/

Shpërndaje në: