Abdixhiku pas votëbesimit: Rruga përpara e LDK-së ka një emër – rimëkëmbje
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas konfirmimit për të mbetur në krye të partisë, ka thënë se rruga përpara e kësaj partie është rimëkëmbja.
Ai ka ftuar të gjithë anëtarët e partisë, përfshirë ata të pakënaqurit me punën e tij, që të bashkohen dhe të rreshtohen prapa qëllimeve të partisë.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo s’bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve, edhe të kënaqurve me mua por edhe ata sidomos që nuk ishin të kënaqur me mua të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë”. Jemi pak dhe kemi nevojë për secilin e do të punojmë që t’i bëjmë bashkë të gjithë”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë pas Kuvendit të partisë.
Abdixhiku tha se 100 ditëve do të ketë një riorganizim në të gjitha strukturat gjithandej Kosovës.
“Miratuam dy deklarata në këtë Kuvend që do të bëhen publike. Njëra mbi gjendjen politike në vend dhe tjera për organizimin e LDK-së. Ky organizim dhe riorganizim duhet të nisë sa më parë në mënyrë që LDK’ja të jetë funksionale në çdo degë dhe nëndegë. Rruga përpara e LDK-së ka emër – rimëkëmbje dhe kjo bëhet me natyrën e përafrimit. Unë ju bëj thirrje të gjithëve pa dallim, edhe atyre që kanë qenë të kënaqur, por sidomos ata që kanë qenë të pakënaqur me politikën e LDK-së dhe sidomos ata që kanë pasur funksione të larta, të vijnë dhe të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë sonë”.
“Pas çdo vendimi të shumicës do të ketë rreshtim prapa një ideje më madhore, e kjo kërkon përgjegjësi. Gjërat nuk mund të vazhdojnë siç i kemi pasur deri më tani, procesi demokratik ka fillim dhe përfundim. Nga e hëna do të kemi një angazhim strukturor gjithandej Kosovës. I bëj thirrje të gjithë atyre të dëshpëruarve, të dorëhequrve ose jo të kthehen brenda shtëpisë së tyre”, u shpreh Abixhiku./Periskopi



