Abdullahu i PDK-së: Kurtin nuk e pranuan në Shtëpinë e Bardhë

Periskopi.com Lajme

Duke e komentuar vizitën e kryeministrit, Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, tha se Kurtin nuk e kanë pranuar në Shtëpinë e Bardhë.

Abdullahu në Tëvë1 deklaroi se nuk mund të vlerësohet vizita e Kurtit në SHBA pa u përmendur mungesa e një takimi të nivelit të lartë.

“Është e pashmangshme të vlerësohet vizita e kryeministrit Kurti në SHBA e të mos thuhet ajo që është më e rëndësishmja se në këtë vizitë ku mungon takimi i një niveli të lartë, takim në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi ai.

Abdullahu shtoi se Kurti edhe mund të mos ta ketë pasur të planifikuar një takim në Shtëpinë e Bardhë për arsye se nuk e kanë pranuar.

“Ti më herët pse nuk e planifikove të shkosh në Shtëpinë e Bardhë, a din pse, sepse nuk të pranojnë në Shtëpinë e Bardhë, për këtë arsye nuk ke planifikuar pse ata nuk të kanë pranuar”, tha Abdullahu.

I pyetur se pse nuk do ta pranonin Kurtin në Shtëpinë e Bardhë, Abdullahu përmendi veprimet e Kurtit si opozitar, sidomos kritikat për marrëveshjen e Uashingtonit, marrëveshjen me NATO-n, e të tjera.