Agim Bahtiri i bashkohet takimit për kafe me kandidatët për Mitrovicë: Pinë çaj rusi

Agim Bahtiri i bashkohet takimit për kafe me kandidatët për Mitrovicë: Pinë çaj rusi

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri i është përgjigjur pozitivisht ftesës për kafe nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli.

Më parë ishte raportuar se edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza për kryetar të Mitrovicës së Jugut dhe kandidati i Iniciativës Qytetare, Erden Artiq për kryetar të Mitrovicës së Veriut janë takuar sot në orët e mëngjesit për një kafe pune.

Ajo çka vërehet në fotografinë ku shihet Bahtiri është se në tavolinë më nuk është kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza. Po ashtu, vërehet edhe një gjëkafshë e zezë e vënë mbi maskën e pandemisë që mund të jetë, potencialisht, çelësi i veturës së tij.

Agolli një ditë më parë u kishte bërë thirrje Hamzës dhe Agimit Bahtirit për një kafe pune, por Bahtiri nuk i është përgjigjur ftesës.

Në takimin e sotëm të pranishëm ishin Agolli, Hamza dhe Artiq, teksa më vonë Hamza u largua e Bahtiri iu bashkua takimit.

“Përshëndetje z.Hamza dhe z. Bahtiri, Ju bëj ftesë publike për kafe, që do ta pijmë bashkë nesër në orën 9:00, në veri të Mitrovicës, tek kafeneja e Izet Boletinit. Pjesë e takimit do të jetë edhe Iniciativa Qytetare, pjesë e së cilës janë përfaqësuesit të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë. Shpresoj në ardhjen tuaj dhe ju mirëpres në takim”, kishte shkruar Agolli të martën në Facebook.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. Shumica e partive politike kanë deklaruar se do të mbajnë fushatë zgjedhore vetëm pesë ditë për shkak të pandemisë COVID-19.

Shpërndaje në: