Aktakuzë për kontrabandë milionëshe cigaresh nga Porti i Tivarit – pjesë e bandës edhe shqiptari Veton Berishaj
Në mesin e personave ndaj të cilëve Prokuroria Speciale e Malit të Zi ka ngritur aktakuzë për krijim të organizatës kriminale dhe kontrabandë milionëshe të cigareve nga Zona e Lirë e Portit të Tivarit, figuron edhe emri i një shqiptari – Veton Berishaj, raporton RTCG.
Përveç Berishajt, aktakuzë është ngritur edhe kundër Dusko Golubovicit dhe Sander Stanajt, si dhe ndaj një sërë personash të tjere, përfshirë ish-drejtorin e kompanisë “Roksped” Prokopije Peric, pronarin e farmacive “Petanovic” Andrija Petanovic, Mileta Simanic, Adnan Sukovic, Predrag Madzgalj, Dejan Milic, Radoje Dakic, Ivan Turcinovic, Vukota Vujosevic, si dhe vëllain në arrati te Stanajt, Nuo Stanaj, Gjoko Ljeskovic dhe Abedin Pepic.
Sipas aktakuzës, ata akuzohen për krijimin e një organizate kriminale dhe kontrabandë milionëshe të cigareve nga Zona e Lirë e Portit të Tivarit gjatë viteve 2020 dhe 2021.
Prokuroria pretendon se Dusko Golubovic i kërkonte Sander Stanajt, përmes komunikimit të koduar, t’i dërgonte targat e kamionëve dhe rimorkiove që do të vinin për të marrë cigare (Regina, Cosmopolitan dhe marka të tjera), në kohë dhe vende të caktuara në Tivar, sipas udhëzimeve të tij.
Më pas, Stanaj komunikonte me vëllanë e tij Nuo Stanaj, i cili siguronte të dhënat e mjeteve transportuese nga Dejan Milić – përfshirë targat, ngjyrën, markën e kamionit dhe emrin e shoferit (Radoje Dakić) – dhe këto informacione përfundonin sërish te Golubovići. Qëllimi, sipas aktakuzës, ishte që cigaret të dorëzoheshin personave të caktuar paraprakisht, jashtë procedurave ligjore.
Golubovic i identifikuar si “njeriu me Passat”
Në komunikimet e përgjuara, Golubović përmendet si “njeriu me Passat”. Prokuroria thekson se gjatë transportit të cigareve nga Tivari drejt Podgoricës, mjetet shoqëroheshin nga Nuo Stanaj dhe vetë Golubovići, i cili monitoronte lëvizjen e kamionëve dhe jepte udhëzime për ndalesat.
Asnjë nga mjetet e përdorura nuk ishte i regjistruar zyrtarisht gjatë hyrjes apo daljes nga Zona e Lirë e Portit të Tivarit, çka sipas SDT-së dëshmon për një aktivitet tërësisht të paligjshëm.
Mesazhe SKY dhe lidhja me kompaninë “Playmaker”
Në komunikimet përmes aplikacionit SKY-ECC më 23 maj 2020, Golubović i dërgon Stanajt mesazhin: “Le të parkohet, të mos bëjë asgjë, askush nuk po më lajmëron as mua”, duke i dhënë edhe një numër telefoni. Prokuroria pretendon se ky numër i përket Nikola Kovačevićit, person i autorizuar në kompaninë speditore “Playmaker”, e cila operon në Portin e Tivarit.
Sipas prokurorit special, kjo tregon se Golubovići kishte rol kyç në koordinimin e hyrjes dhe daljes së mjeteve nga porti.

Ndryshim i deklaratës për telefonin e koduar
Golubovic fillimisht kishte deklaruar se nuk posedonte telefon të koduar dhe se ishte teknikisht i paditur, por në dëshminë e dytë, më 18 korrik 2025, ai pranoi se kishte përdorur SKY.
Ai mohoi të ketë qenë organizator i grupit kriminal, duke pranuar vetëm se kishte “një rol të caktuar”, por jo drejtues. Në mbrojtjen e tij, Golubović tha se kishte ndërmjetësuar mes Sander Stanajt dhe biznesmenit Gjorgji (Gjoko) Pavićević, pronar i kompanisë “Playmaker”, për çka, sipas tij, ishte shpërblyer disa herë me shuma nga 2 deri në 10 mijë euro, në total deri në 50 mijë euro.
“Vetëm kam përcjellë mesazhe”
Ish-funksionari i ANB-së deklaroi se nuk kishte njohje me doganierë, punonjës të portit apo policë dhe se nuk kishte rol në organizimin e kontrabandës, por vetëm kishte përcjellë mesazhe nga Pavićevići te Stanaj, si: “Thuaji të dërgojë kamionin nesër në atë vend”.
Ai shtoi se kamionët parkoheshin zakonisht në bulevardin pranë katedrales dhe se nuk kishte njohuri për llojin apo sasinë e cigareve që transportoheshin.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa disa nga të akuzuarit ndodhen ende në arrati./Periskopi/



