Akuzë tronditëse në Francë: Ylli i PSG`së dhe bashkëshortja e tij nën hetim për trafikim qeniesh njerëzore
Raportime shqetësuese kanë dalë në dritë në Francë, duke përfshirë mbrojtësin e Paris Saint-Germain, Lucas Hernandez, dhe bashkëshorten e tij, Victoria Triay.
Sipas mediave franceze, çifti akuzohet për punë të padeklaruar dhe trafikim qenie njerëzore, akuza që kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Sipas informacionit të publikuar nga Paris Match, një familje kolumbiane – e përbërë nga një burrë, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët – ka punuar për çiftin nga shtatori i vitit 2024 deri në nëntorin e vitit 2025, pa pasur status të rregullt ligjor në Francë. Familja thuhet se kishte mbërritur me shpresën për një jetë më të mirë, e nxitur nga premtime për kushte të denja dhe mundësi për të ndihmuar familjarët në Kolumbi.
Megjithatë, sipas padisë së depozituar së fundmi në Prokurorinë e Versajës, realiteti ka qenë krejt ndryshe.
Anëtarët e familjes kolumbiane pretendojnë se kanë kryer një sërë detyrash për Lucas Hernandez dhe Victoria Triay, duke përfshirë role si roje, sigurim, pastruese shtëpie, kuzhinierë dhe dado, me orare të tejzgjatura pune dhe pa kontrata zyrtare.
Ankesa përfshin akuza serioze për shfrytëzim dhe shkelje të ligjeve të punës, ndërsa autoritetet franceze pritet të hetojnë nëse ka elementë të trafikimit të qenieve njerëzore.
Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për akuza dhe pretendime, ndërsa palët e përfshira nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar publik.
Çështja pritet të marrë jehonë të madhe edhe në botën e futbollit, pasi Lucas Hernandez është një emër i njohur, fitues i Kupës së Botës me Francën në vitin 2018 dhe aktualisht pjesë e një prej klubeve më të mëdha europiane. raporton SYRI.net, përcjell Periskopi.



