Albin Kurti si avokat i vrasjeve të luftës dhe kundërshtar i Hashimit

Albin Kurti si avokat i vrasjeve të luftës dhe kundërshtar i Hashimit

Nëse ka diçka kontradiktore sot në historinë e Kosovës rreth qëndrimit politik që mbahet ndaj hijeve të errëta të luftës dhe vrasjeve politike, është qëndrimi politik i Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit.

Albin Kurti ishte një mbështetës i luftës, pa qenë në luftë. Pa dashur të përshkruaj biografinë e tij të atyre viteve, dua të theksoj se gjërat për të cilat akuzohet Hashim Thaçi dhe shokët e tij, më së shumti kanë të bëjnë me dëshmi të marra për vrasje politike, apo spastrime të qëllimshme jashtë fushës së luftës, në periudhën e anarkisë pas luftës.

Ka pasur parti dhe individë në Kosovë që e kanë kundërshtuar në kohën që ndodhnin këto gjëma. Ka pas dhe pak, fare pak gazetarë. LDK ishte një prej këtyre partive që kanë kundërshtuar vrasjet dhe i kanë denoncuar ato.

Vrasjet pa autorë, por dukshëm të motivuara politikisht, kundër disa drejtuesve lokalë të LDK, e futën LDK-në në një luftë të ftohtë me “krahun e luftës”.

Në kaosin e pasluftës së vitit 1999, deri më 2000, Kosova nuk ishte as në pushtetin e UÇK, as UNMIK, as të ndonjë Qeverie, por nën pushtetin e një anarkie dhe “gjuetie shtrigash”.

E vetmja gjë që duhej bërë, ishte të ngrije zërin dhe të dënoje vrasjet, nëse guxoje.

Ata që e kanë bërë këtë në Kosovë, i kanë deklaratat e shkruara. Pak kush e bëri në Shqipëri.

Por më të qartë janë ata që nuk e bënë kurrë. Dhe ky është Albin Kurti dhe “Vetëvendosja”. Kjo parti nuk i dënoi kurrë vrasjet politike në Kosovë, madje dukshëm dukej se inatin me fraksionet e tjera të dala nga lufta, e kishin pse nuk kishin vrarë më shumë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, ka qenë i kudondodhur me Hashim Thaçin dhe drejtues të tjerë të UÇK-së në kohën për të cilën përfliten akuzat. Nuk di çfarë mund të ketë thënë si dëshmitar në Hagë, por di që ky njeri ishte ministër i Brendshëm i Qeverisë së përkohshme të vitit 1999-2000, kur kanë ndodhur shumica e këtyre vrasjeve. Në atë Qeveri pa pushtet, në fakt ministri i Brendshëm ishte “Gestapo” politike.

E kam të fiksuar si gazetar, pasi duke qenë shumë kritik me shkrimet e mia rreth vrasjeve në atë kohë, ky i ishte ankuar një zyrtari të lartë të PD në Shqipëri, gjatë një dreke tek restorant “Piaca” në Tiranë.

Tani ky njeri që udhëhiqte nëntokën e krahut politik të UÇK, udhëheq Grupin Parlamentar të “Vetëvendosjes”, dhe vazhdon të mbrojë atë që ka bërë në ato vite.

As ai, por mbi të gjitha as “Vetëvendosja”, nuk bëri kurrë asgjë politikisht kundër asaj periudhe. Madje Albin Kurti ka denigruar Ibrahim Rugovën, dhe vetëm kur i qurravitej LDK-së për pushtet, bëri disa hapa plot mëdyshje e pasiguri, rreth pranimit të kontributit të tij.

Tani “Vetëvendosja” dëgjova që ka thënë se Edi Rama ka shkuar në Kosovë për të mbrojtur Hashim Thaçin.

Po mirë, ndoshta ka shkuar dhe për ta mbrojtur presidentin Hashim Thaçi më 2020, por avokati më i madh i akuzave që i janë bërë Hashim Thaçit dhe shokëve të tij, është “Vetëvendosja”.

PDK e Thaçit, AAK e Haradinajt etj., kanë reflektuar kundër vrasjeve, së paku me deklarata politike. “Vetëvendosja” dhe Albin Kurti janë ndër avokatët më të mëdhenj të asaj periudhe, pasi ata ende nuk janë distancuar prej tyre.

Po kaq kontradiktore është dhe teoria e tyre rreth Gjykatës Speciale të Kosovës.

Ata nuk e kanë votuar atë, thonë që nuk e njohin, kritikojnë Hashim Thaçin pse e votoi, ndërsa tani i thonë pse nuk jep dorëheqje, se të ka akuzuar prokurori special.

Hashim Tahçi ka dhënë shpjegimet e veta për hapat që do të ndjekë, por “Vetëvendosja” nuk ka pse i kërkon llogari dikujt për raportet që ai vendos me një gjykatë, që ata nuk e njohin.

Kjo tregon sa fallco e kanë pasur kundërshtinë ndaj Gjykatës Speciale dhe sa të paqëndrueshëm janë në qëndrimin ndaj së shkuarës. Ata kanë target vetëm persona dhe jo fenomene në Kosovë.

Albin Kurti dhe “Vetëvendosja” është rasti unik, kur ata janë dakord me fenomenin e vrasjeve politike, por duan në të njëjtën kohë që për këto të dënohen disa kundërshtarë të tyre, dhe jo ata.

Kësisoj ata janë edhe avokatët e vrasjeve të luftës, edhe njëkohësisht kundërshtarët e Hashim Thaçit. E kuptoni vetë çfarë i bie të jenë.

 

 

Shpërndaje në: