Albulena Haxhiu: Dialogu pa parime dhe pa kushte nuk duhet të vazhdojë

Albulena Haxhiu: Dialogu pa parime dhe pa kushte nuk duhet të vazhdojë

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se ky subjekt politik, vazhdon të jetë kundër dialogut me Serbinë.

Ajo ka thënë se dialogu i nisur pa kushte dhe pa parime është në dëm të Kosovës.

“Ne konsiderojmë që ky dialog me Serbinë nuk duhet të vazhdojë në asnjë mënyrë dhe natyrisht që Lëvizja Vetëvendosje, tash e sa kohë, ka qëndrime të qarta sa i përket procesit të dialogut. Ne konsiderojmë që dialogu i nisur kështu, pa parime dhe pa kushte, është në dëm të Republikës së Kosovës dhe në këtë drejtim, jemi kundër këtij dialogu, sepse është dëshmuar ajo që e kemi thënë se secila marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel, është në favor të Serbisë dhe në favor të Kosovës”, ka thënë Haxhiu për “Radion Evropa e Lirë”.

Haxhiu konsideron që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është dashur fare të shkojë në takimin në Bruksel, për të biseduar për një fazë të re të dialogut.

“Për neve është e papranueshme që Hashim Thaçi, në këtë mënyrë, në këto rrethana, si dhe duke marrë parasysh që i njëjti është përgjegjësi kryesor për të gjitha koncesionet që janë bërë në dëm të Kosovës, të shkojë dhe të bisedojë ose të vazhdojë një raund të ri të bisedimeve, tashmë në nivelin e presidentëve. Është i njëjti njeri, pra përveç që tashmë është president, mirëpo ta kemi parasysh që i njëjti, në kohën sa ishte kryeministër i vendit, është marrë në vazhdimësi me koncesione në dëm të Republikës së Kosovës, në negociatat e padrejta me Serbinë”, ka deklaruar ajo.

Shpërndaje në: