Albulena Haxhiu e nisi ditën në Gjykatë, pastaj shkoi në Kuvend – Te të dyjat dështoi
Albulena Haxhiu, ditën e hënë e nisi në një seancë gjyqësore e ku akuzohet për mbajtjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, raporton Periskopi.
Por, seanca u shty për shkak të mungesës së të akuzuarve të tjerë.
Prej atje, Haxhiu e mori rrugën tek Kuvendi i Kosovës. Si kandidate për kryeparlamentare, edhe në Kuvend dështoi.
Ajo u pyet nga gazetarët lidhur me seancën për gazin lotsjellës, teksa tha se nuk është e akuzuar për sulm ndaj institucionit që po synon me udhëheq.
Madje ajo e arsyetoi hudhjen e gazit lotsjellës në atë kohë për ta kundërshtuar Zajednicën.
Sipas saj, opozita aktuale nuk do të ketë nevojë të bëjë veprime të tilla sepse shton ajo “Qeveria e Albin Kurtit nuk bën marrëveshje të dëmshme”.
“Ne akuzohemi për mbajtje në pronësi të gazit lotsjellës thuajse çfarë krimi keni bërë, ato kanë qenë veprime politike për të ndalur Demarkacionin, dhe në shenjë kundërshtimi me Zajednicën, por që unë do të jemi këtu derisa të mbyllet ky proces”, deklaroi ajo.
“Është e pavërtetë që akuzohem për sulm ndaj Kuvendit, por mbajtje në pronësi të gazit lotsjellës. Jo sulm ndaj kuvendit, a jeni gjyqtare, a jeni prokurore? Të lutem para se të më bëni pyetje të tilla, së pari të merrni informacionet e pastaj të më pyesni”, iu drejtua Haxhiu gazetarëve.
Kujtojmë që Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të 2016-tës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kuvendi sot:
As sot nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri mes partive politike për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kjo pasi edhe përpjekja e 35-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar me sukses. Lëvizja Vetëvendosje as sot nuk ka hequr dorë nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.
Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 51 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të hënën në orën 11:00.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës./Periskopi/



