Alma Lama nuk flet për postin e ambasadores, publikon një poezi dëshpërimi

Alma Lama nuk flet për postin e ambasadores, publikon një poezi dëshpërimi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar shkarkimin e Ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama. Kjo e fundit ende nuk ka reaguar ndaj këtij vendimi të presidentit, por para pak minutash ka publikuar në rrjetin social “Facebook” një poezi dëshpërimi. Gjatë ditës së sotme, Lama është kontaktuar disa herë nga Periskopi për çështjen e shkarkimit, por ajo nuk është përgjigjur.

Lama në faqen e saj zyrtare publikoi poezinë “Në mundsh…”, të autorit Rudiard Kipling.

Poezi e Kiplingut është dëshpruese, në të cilën shfaqen sugjerimet që autori si baba ia drejton të birit në mënyrë që të bëhet “Burrë”.

Nuk dihet nëse Lama ia ka dedikuar këtë poezi presidentit Thaçi, pas vendimit të tij për shkarkimin e saj.

Sipas Kiplingut, të qenin burrë e përbëjnë vlerat, liria dhe vullneti për të konsideruar çdo hap të ekzistencës tonë si një ecje drejt diçkaje të re.

Ndryshe, sot u bë e ditur se presidenti Hashim Thaçi ka marrë vendimin për shkarkimin e Lamës më 23 nëntor.

“Urdhërohet tërheqja nga Misioni Diplomatik i znj. Alma Lama, Ambasadore/Shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti. Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, shkruante në Dekretin e nënshkruar nga presidenti i Kosovës.

Lama ishte ngarkuar me punë në postin e Ambasadores së Kosovës në Itali më 2016, pas koalicionit qeverisës të arritur mes LDK-së dhe PDK-së, me ç’rast, deputetja e atëhershme, Alma Lama, e kishte dhënë votën për ta bërë president Hashim Thaçin.

U raportua se postin e Lamës do ta pasojë ish-Ambasadorja e Kosovës në Itali, Bukurije Gjonbalaj.

Periskopi ju sjell të plotë poezinë që Lama e ka shpërndarë në Facebook:

Në mundsh…

Në mundsh të ruash arsyen kur bota humbet fillin

e fajin ty ta hedh dhe vehtes t’i besosh,

sa herë te ty dyshojnë e s’të perfillin,

por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

 

në mundsh të rrish në pritje nga pritja palodhur,

a kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,

madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur,

me thjeshtësi me to pa rënë ndesh…

 

në mundsh t’mendosh por jo gjer në shkaterrim,

t’ëndërrosh por jo si rob ëndërrimesh.

dhe ti t’i trajtosh një lloj e pa dallim,

ngadhnjimin e shpartallimin, burim mashtrimesh…

 

në durofsh dot që thëniet e tua të drejta

në kurthe trutharët, kopukët të t’i kthejnë,

t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta

e prap t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë

 

në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh,

si në kumar me një të vetme lojë,

të rrezikosh e prap t’ja fillosh dhe

humbjen kurre të mos e zësh me gojë…

 

në i detyrofsh dot muskul, nerv dhe puls e zemër,

të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,

e të qëndrosh kur s’ke asgjë veç vullnetit,

që veç një fjalë, “qëndro”, gjithnjë të thotë…

 

në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd të ruash

a t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…

nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash

dhe gjithkënd e çmon, por veç aq sa meriton

 

në mundsh t’i mbushësh ti minutat

që të rënda me veprat që peshojnë

dije dhe mos ke asnjë dyshim,

se e jotja do jetë bota me gjithë ç’ka brenda

dhe NJERI do t’jesh o biri im.

 

Rudiard Kipling

Shpërndaje në: