Ambasadorja e Izraelit: Urrejtja ndaj hebrenjve s’mbaroi me Holokaustin, vazhdon ende

Ambasadorja e Izraelit: Urrejtja ndaj hebrenjve s’mbaroi me Holokaustin, vazhdon ende

Në Prishtinë janë përkujtuar miliona viktima të Aushvicit në 81-vjetorin e Holokaustit ndaj hebrenjve.

Në një ceremoni komemorative në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, tha se anti semitizmi vazhdon të jetë prezent ende në botë dhe ka shtrirje te populli hebrenj, për çka shtoi se çdo ditë raportohen sulme fizike dhe gjuhë e urrejtjes.

“Holokausti ishte mohimi përfundimtar i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Ai buronte nga një ideologji antisemitike që ua hoqi njerëzve të drejtat, i çnjerëzoi ata dhe shpalli se disa raca janë johumane dhe për këtë arsye të rrezikshme për shoqërinë dhe duhet të eliminohen. Antisemitizmi, urrejtja ndaj hebrenjve, nuk përfundoi me Holokaustin 81 vjet më parë. Ai është shndërruar në retorikë të mohimit të Holokaustit, në sulme fizike kundër hebrenjve dhe komuniteteve hebreje në mbarë botën, si dhe në thirrje për shkatërrimin e Shtetit të Izraelit”, u shpreh ambasadorja izraelite.

Ajo përmendi edhe statistika të incidenteve antisemitike.

“Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2023, pas sulmit të 7 tetorit, u dokumentuan mbi 1,700 incidente antisemitike. Në vitin 2024, ky numër u dyfishua në më shumë se 6,300 incidente, dhe viti 2025 shënoi një rritje të mëtejshme. Që nga 7 tetori, mbi 13,000 incidente antisemitike kanë ndodhur në mbarë botën, përfshirë sulme vdekjeprurëse në Mbretërinë e Bashkuar, ShBA, Evropë dhe Australi, në të cilat më shumë se 20 hebrenj u vranë vetëm sepse ishin hebrenj”.

Ndërkohë, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka kujtuar vizitën e tij personale në këtë kamp përqendrimi, të cilin e kishte vizituar për herë të parë në moshën 17-vjeçare si student.

“Një pamje që është skalitur në memorien time janë binarët e hekurudhës që përfundojnë aty, sepse nuk ka kthim mbrapa për ata që nisen drejt atij kampi”, ka deklaruar Rudolph.

Tutje, ambasadori ka theksuar se për Gjermaninë përkujtimi i Aushvicit është një akt përgjegjësie historike.

“Nuk do t’i harrojmë kurrë këto krime që janë kryer nga gjermanët, në emër të gjermanëve, as vuajtjen e pamatshme që u shkaktua. Po ashtu, nuk do të harrojmë kurrë se çfarë është në gjendje të bëjë njerëzimi kur ideologjia e epërsisë racore shndërrohet në politikë zyrtare shtetërore, duke mundësuar vrasjen industriale të një grupi të shënjestruar të njerëzimit”, ka thënë ai./Periskopi/

Shpërndaje në: