Analisti Muja: Marrëveshja po zvarritet sepse LDK-ja dëshiron ta kontrollojë Albin Kurtin

Analisti Muja: Marrëveshja po zvarritet sepse LDK-ja dëshiron ta kontrollojë Albin Kurtin

Nesër bëhen dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Nga një proces i stërgjatur deri te certifikimin e zgjedhjeve, tani vendi po përballet edhe me një proces të stërzgjatur bisedimesh për formimin e Qeverisë së re.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, duket se kanë pezulluar takimet të cilat duhet të çonin në nënshkrimin e një marrëveshjeje finale për qeverisje. Kjo pasiqë këto dy parti s’(po)mund të merren vesh për postet e ardhshme qeverisëse.

Takimi i së hënës që shkoi në mes Isa Mustafës dhe Albin Kurtit përfundoi pa rezultat. Kjo pasiqë partia e Isa Mustafës e nxori në tavolinën e bisedimeve edhe çështjen e Presidentit, si dhe shfaqi këmbënguljen për të udhëhequr me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Për këto dy çështje Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur refuzimin e saj, ndërsa ka akuzuar partnerin e mundshëm të koalicionit se po kushtëzon marrëveshjen.

Ky qëndrim i LDK-së  për analistin e çështjeve politike në vend Armend Muja, mund të ketë dy arsye. E para sipas tij është se meqë brenda LDK-së janë dy struktura të cilat nuk mendojnë njëjtë për koalicionin me LVV-në, LDK-ja e re po përpiqet ta bindë atë tradicionalen për suksesin e negocimeve me LVV-në. Ndërsa arsyeja e dytë sipas Mujës mund të jetë që LDK-ja nuk është e interesuar që të arrihet fare marrëveshja.

“Është vendosur një pengesë e madhe për ta kapërcyer. E para është për ta bindur një pjesë të strukturave që ja unë po arrijë një kësi lloj marrëveshje. Ose nuk po do marrëveshje fare”, tha Muja në një bisedë me Periskopin.

Sipas analistit Muja, për të formuar Qeverinë e re, Albin Kurtit i nevojiten 61 vota dhe këtë situatë është duke e shfrytëzuar LDK-ja.

“Kemi dy parti që njëra- tjetrës i kanë premtu që do të bëjnë koalicion me njëra- tjetrën . Kemi parë përpjekje për koalicion parazgjedhor. Por nuk munden të merren vesh për poste, sidomos për postin e kryeministrit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje LDK-ja ka mendu që del e para vet. Por kanë ndryshuar matematikat. Në bazë  të marrëveshjes dhe Kushtetutës, kryeministri i takon koalicionit apo partisë fituese. Por duhen 61 vota. LDK është duke e shfrytëzuar këtë situatë duke kërkuar pozitën e parë pozitën e dytë dhe ekskluzivitetin për të zgjedhur ministritë”, tha Muja.

Muja është shprehur i bindur se marrëveshja për bashkëqeverisje në mes LVV-së dhe LDK-së do të arrihet, por  se thotë se një pjesë e kësaj të fundit nuk mund të pranojë që të veprojë nën autoritetin e Albin Kurtit.

“Kemi ndasi edhe brenda LDK-së, ajo tradicionale nuk e do një marrëveshje me Vetëvendosjen, posaçërisht nuk do të veprojë nën autoritetin e Albin Kurtit si kryeministër. E vetmja mënyrë që ata të pajtohen është që të kenë dëshmi që Kurti të operojë ose të jetë i kontrollueshëm nga LDK-ja”, tha Muja.

Analisti i njohur mendon se ndarja e posteve duhet të bëhet sipas Kushtetutës, në atë mënyrë që kryeministri t’i takojë partisë së parë, presidenti partisë së dytë, kryeparlamentari partisë së parë, ndërsa numri I ministrive të ndahet në mënyrë të barabartë.

Muja beson se për arritjen e marrëveshjes LVV-LDK do të kontribuojnë deputetët e Bundestagut gjerman, të cilët mund të këshillojnë LDK-në për arritjen e marrëveshjes, duke ndjekur kështu modelin gjerman.

Disa ditë pas takimit Mustafa-Kurti, LDK-ja ka dalë me një qëndrim zyrtar, përmes të cilit ka kërkuar marrëveshje të baraspeshuar me Vetëvendosjen. /Periskopi/

 

 

Shpërndaje në: