Analizë e Periskopit: A është LDK-ja thjesht një PDK me Rugovën?

Analizë e Periskopit: A është LDK-ja thjesht një PDK me Rugovën?

Për nga vjetërsia, LDK-në mund ta kalojë vetëm Partia Liberale e Gjergj Dedajt. Në vitet ’90, ajo u përpoq të kultivonte njëfarë pluralizmi politik në Kosovë, në një sistem ilegal të papranuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Por, ky kultivim e çoi këtë parti edhe në kultivimin e kulturës së improvizimit – e cila është e vërejtshme edhe sot. E gjithë ajo që mendohej si rezistencë ndaj shtypjes që shpërndahej mbi baza fashiste, me zgjedhjet dhe me konferencat e së premtes, zor të thuhet se e vinin në vështirësi diktatorin serb. Ishte thjesht një improvizim rezistence.

Prandaj, rezistencën e mori një grup që më vonë u quajt UÇK. Ndodhi një luftë – për të cilën LDK-ja kishte pak për të thënë – e cila e formësoi skemën e prodhimit të vlerave dhe politikës në periudhën e pasluftës. Ligjërimi i LDK-së, edhe për sa kohë ishte në qeverisje, nuk pati rëndësi.

Ajo u mundua të dëshmohej si partia e vetme në Kosovë që e kuptonte demokracinë, institucionalizmin dhe pluralizmin – por e gjithë kjo dëshmi u thërmua në zgjedhjet e brendshme të vitit 2006, kur plasi dhuna në kuvendin e ‘karrigeve’.

U improvizua edhe me reformat. Në praktikë, kjo parti e ricikloi të njëjtën mënyrë funksionimi, të njëjtit njerëz dhe të njëjtat ide të paktën përgjatë dy dekadave të fundit.

Edhe sot, kjo parti kërkon të mendohet si më demokratikja dhe më institucionalistja në nivel vendi. Kjo përpjekje daton qysh në vitet e para të pasluftës, mbase si një përpjekje para-reflektive, ku LDK-ja asnjëherë nuk e mori postin e kryeministrit edhe pse i fitonte bindshëm zgjedhjet. Ajo e bëri fajin e saj më pak të dukshëm në këtë formë, një taktikë që ndoshta po përdoret sot nga PDK-ja. Edhe kur e mori postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të qershorit 2014 me Isa Mustafën, ajo e prodhoi një qeveri memece, që e improvizonte një qasje institucionaliste, që prodhonte skandale më pak ‘gjëmuese’ pikërisht shkaku i memecërisë së saj të përllogaritur.

LDK-ja asnjëherë nuk ka bërë kritikë përmbajtësore ndaj qeverive të PDK-së. Kjo e ka bëri të kollajshme që të lidhte koalicione me këtë të fundit, pavarësisht akuzave që i bënte për keq-qeverisje [pa harruar, edhe ato për vrasjet e aktivistëve të saj pas luftës]. Ajo nuk bëri madje asnjëherë vetëkritikë, dhe nuk i pranoi hapur gabimet që i kishte bërë gjatë kohës së pasluftës. E vetmja vetëkritikë, e që dukej edhe si vetëmburrje, ishte kur Isa Mustafa në një debat tha që ‘partia e tij nuk kishte ditur ta shiste medialisht punën e madhe që e kishte bërë’.

Për të përfituar politikisht ajo nuk ka ngurruar që ta mitizonte figurën dhe gjithë veprimtarinë e Ibrahim Rugovës. Dhe duket se sa më shumë kohë kalon, aq më e madhe bëhet kjo vepër, dhe aq më shumë përfiton kjo parti. Ajo e ka konstruktuar njëfarë ‘fryme/filozofie rugoviane’ ani që nuk ka treguar asnjëherë se në çka konkretisht konsiston një gjë e tillë, duke qenë se institucionalizmi, demokracia e pluralizmi deklarohen si qëndrime të të gjitha partive tjera parlamentare. Por, mbase kjo lloj fryme ose filozofie konsiston te pasivizmi publik. Domethënë, te ideja se çkado që bën keq PDK-ja, ose ajo vetë, e bën/bëjnë sepse kështu është e shkruar [nga natyra/zoti].

Me ndarjen e Vetëvendosjes dhe dobësimin e PDK-së, LDK-ja u bë papritmas partia më e madhe në Kosovë. Dhe, me nuhatjen e pushtetit nxorrën krye edhe ambicjet. Gazmend Muhaxheri i trimëruar nga rezultati që kishte marrë për kryetar komune në Pejë, tha se ai duhej të ishte kryeministër i ardhshëm. Ambicje ka shprehur edhe Vjosa Osmani, Avdullah Hoti, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu. Zgjedhjet e brendshme në LDK mund të rikthejnë fytyrën e vërtetë të kësaj partie – përmes një shpërthimi tjetër dhune, ose nëse jo dhune, atëherë një tjetër përçarjeje.

Shëndeti i Isa Mustafës mund të jetë një tjetër përcaktues i fatit të partisë në fjalë. Ai aktualisht shihet si një rregullator i luftës së brendshme për pushtet – duke qenë vetë i konsumuar politikisht. Por, ajo që ndoshta duhet ta bëj Mustafa me njëfarë urgjence, është caktimi i një kandidati për kryetar nga ana e tij, që do të mund të shihej si kandidat konsensual – duke mos qenë asnjëri prej emrave të lartpërmendur. E keqja e të qenit ambicioz – është se kur ajo bëhet e dukshme/publike ndeshet dhe sulmohet. Dhe një kandidat në dukje konsensual aktualisht do të mbante të shtrënguar partinë që të mos përçahej – duke qenë se të gjithë ata që kanë shprehur ambicje tashmë e shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë.

LDK-ja duhet të investojë në reforma më përmbajtësore dhe jo thjesht në improvizimin e tyre. Qasja institucionaliste nuk duhet të shërbejë që të mos mendohet asgjë, e të mos bëhet asgjë.

Rrethanat ekonomike e politike kanë ndryshuar drastikisht që nga koha e Ibrahim Rugovës, prandaj kjo parti duhet të shkarkohet nga barra e kësaj figure. LDK-ja duhet ta rimendojë veten pa presidentin historik, duhet të heqë dorë nga qëndrimi i vetëkënaqur, dhe të dizajnojë një program krejtësisht të ri politik. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar në zgjedhjet e fundit nevojën e tyre për ndryshim. Prandaj, LDK-ja nuk duhet thjesht të riciklojë metodat e saj qeverisëse, që nuk ndryshojnë shumë nga ato të PDK-së, por të angazhohet në krijimin e një vizioni të ri politik për vendin.

Shpërndaje në: