Analizë nga Pastor Fehmi Cakolli: Lëvizja për “Braktisja e Islamit”, çfarë është kjo lëvizje dhe pse doli?

Analizë nga Pastor Fehmi Cakolli: Lëvizja për “Braktisja e Islamit”, çfarë është kjo lëvizje dhe pse doli?

Shkruan: Pastor Fehmi Cakolli

Çka është kjo “lëvizje”?

Ajo që doli në publik javën e kaluar në Deçan nuk e shoh si një lëvizje por nismë. Kjo nismë mund të shndërrohet në lëvizje dhe ndoshta më shpejt sesa mendojnë disa. Është nismë sepse janë në fillim. Prandaj edhe mungojnë artikulimet e nevojshme, organizimi, strukturimi, shtrirja, rrjetëzimi, udhëheqja, objektivat etj. Si nismë e vlerësoj se është qytetare, demokratike dhe e drejtë e tyre. E shoh se ka dalë si rezultat reaksioni, pra është një kundërveprim pas disa dekadave. Masa e këtij kundërveprimi publik për mua paraqet pikën më të dobët dhe më të diskutueshme për rrethanat dhe specifikat e shoqërisë sonë. Nisma për “braktisjen e fesë islame” si formulim është bërthama e kundërveprimit dhe mendoj se është huqje në hapa. Nëse kauza është braktisja e islamit e cila mund të bëhet por pa proklamata, pa apelet për shkak të inercioneve mbarëshqiptare. Nisma e Deçanit nuk po merret me doktrinën kuranore/islame por me mbrojtjen e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Identiteti shqiptar si boshti kryesor i qenësisë sonë ka brenda edhe krishterimin e edhe islamin dhe këto tashmë janë normativizuar si procese historike.

Pse doli kjo lëvizje?

Nuk duhet të sillemi sikur nuk kemi parë e dëgjuar gjë se çka ka ndodh në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut për sa i përket radikalizmit dhe ekstremizmit të grupeve islamiste qe tri dekada. Mjafton me pa, jo vetëm sot por edhe para 15 vitesh, në një gazetë a portal ose rrjet social kur një imam ose aktivist islamist shkruan ose flet diçka dhe sa ka reagime të ashpra PRO et Contra, ndërsa të urtët nuk janë pjesë e këtyre debateve. Gjuha përjashtuese po zjarrmon lart e më lart. Ky mbase është matësi më i thjeshtë publik. Nisma e Deçanit po thotë se identiteti kombëtar shqiptar po zhbëhet. Të kujtojmë se sipas anketës që ka zhvilluar organizata KIPRED më 2016 nga të anketuarit kosovarë 37% e tyre fillimisht e kanë ndjerë identitetin fetar mysliman kurse identiteti kombëtar shqiptar për ta ishte plani i dytë. Prandaj historiani Jusuf Buxhovi deklaron se në Kosovë po ndërrohet identiteti kombëtar i shqiptarëve me identitetet fetare. Poshtërimet dhe sulmet që u janë bërë kulturës shqiptare, identitetit kombëtar, rendit laik e demokratik të Kosovës nga islamistët shqiptarë është e gjatë. Numri i xhamive, edhe pse disa prej tyre duket hapur se janë ndërtuar në vende strategjike me agjenda politike, dhe shumica e tyre janë bërë pa leje, nuk do të duhej të përbënte një problem për qytetarin e Kosovës pasi kjo është çështje e bashkësisë fetare përkatëse dhe e shtetit.

Lista kryesore e poshtërimeve

E para, në majat, për bindjet time është sulmi më i madh që i bëhet kombit shqiptar është lidhur me gjuhën shqipe. Sa më pak flasim shqip sot? Këtu kanë hise të gjithë jo vetëm vëllezërit myslimanë. Shqipja po tkurret edhe në familje. Shqipja nuk është gjuhë dominonte e islamit të Kosovës përkundër të krishterëve. Prandaj reagonte Adem Demaçi “si ka mundësi që edhe pas 600 vjetëve islam mes shqiptarëve lutja kryesore dhe ezani mos të dëgjohen shqip”. Shqiptari është mburr me ruajtjen e gjuhës për mijëra vjet kurse tani rrezikohet nga të gjithë. E dyta, qarku i identitetit kombëtar në Kosovë, dhe shumë më evidente në Maqedoni, ka lëvizur tej mase, dhe fajtor për këtë nuk janë vetëm aktivistët islamistë por edhe jeta postmoderniste. E treta, dhe më e rrezikshmja është përpjekja që Kosova të jetë shtet sheriatik. E katërta, përdhosja e figurave historike, kombëtare dhe fetare të krishtera sikurse Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Nënë Tereza, Ibrahim Rugova etj. E pesta, se Perandoria Osmane ishte çlirimtare e jo okupuese dhe në vazhdë të kësaj sulltanët turq të hyjnizohen e admirohen, madje duke u bërë nderime e lutje te varri. E gjashta, sulmi i autoktonisë shqiptare duke pohuar se ne kemi ardhur pas ardhjes së turqve në Ballkan. E shtata, zënia e hapësirave dhe institucioneve publike për nevoja fetare pavarësisht se janë diku mbi 900 xhami në Kosovë, e që rreth 700 prej tyre janë ndërtuar në 20 vitet e fundit. E teta, thirrja për martesa mes atyre që kanë lidhje gjaku. E nënta, qëndrimi kundër gati i çdo gjëje që është kulturë burimore shqiptare (veshja, emrat, dasmat, kënga, folklori, veglat muzikore, vallet, legjendat, mitet, letërsia, dukja e jashtme etj.). E dhjeta, mbivendosja e identitetit fetar mysliman mbi atë kombëtar shqiptar. E njëmbëdhjeta, ndjekja dhe stigmatizimi i atyre që mendojnë ndryshe nga islamistët. E dymbëdhjeta, poshtërim e etiketim blanko ndaj civilizimit perëndimor. E trembëdhjeta, para dhjetë vitesh ligjëratat kundër Amerikës, kundër të krishterëve, kundër Biblës, kundër Izraelit ishin të hapura nëpër shumë xhami dhe mos të flasim edhe për materialet që gjenden në internet kudo edhe sot. Edhe babadimri madje sulmohet!

Kultura, feja, civilizimi, orientimi i shtetit dhe hanefizmi

Islami kur erdhi mes shqiptarëve nuk erdhi si një prej doktrinori por popullori. Islamizimi në masë të madhe i shqiptarëve u bë gati 300 vjet pas Betejës së Parë të Kosovës, pra deri në mesin e shek. XVII shqiptarët ende ishin rreth 80% të krishterë, si shumicë ortodokse e ritit bizantin. Islami mes shqiptarëve nuk erdhi si kulturë por si fe, prandaj nuk u bë pjesë e së drejtës zakonore arbërore, e as normë rregullative e familjes. Ndërsa krishterimi pati një tjetër shtegtim mes shqiptarëve por pavarësisht kësaj as krishterimi kurrë nuk e dominoi kulturalisht popullin shqiptar. Personalisht shqiptarët i shoh në përqindjen më të madhe paganë edhe sot. Rrjedhimisht shqiptari me fe kryesore sot është mysliman por me kulturë është pagan. Ky është realiteti ynë. Shkolla juridike islame hanefi është reflektimi dhe udha më fatlume që kanë shqiptarët si shumicë islame në raport me gjithë kombin, rajonin dhe Europën. Hanefizmi si filozofi pranon dhe kultivon bashkëjetesën me fetë tjera, shmang ekstremizmin brenda vetes dhe në raport me tjerët, nuk ushtron stil strikt ndaj besimtarëve për rituale por thekson besimin e brendshëm, lejon interpretime të lira të fesë etj. E kundërta e hanefizmit është selafizmi. Shteti i Kosovës, gjithë shqiptarët, gjitha bashkësitë fetare të vendit duhet respektuar hanefizmin për përqasjen që ka sepse përbën gjënë sa reale po kaq edhe jetike për diversitetin tonë. Mirëpo as hanefizmi nuk po respektohet e zbatohet sa duhet prej vetë përgjegjësve dhe aderuesve megjithëse ka edhe shumë eksponentë kundër përbrenda islamit shqiptar edhe për këtë çështje. Praktikisht mes shqiptarëve jemi duke parë selafizëm e jo hanefizëm.

Thelbi i kundërreagimeve të imamëve

Ka një shpërputhje të madhe. Fillimisht shumica e tyre thonë se kjo lëvizje nuk është asgjë dhe nuk duhet të merremi me ta se nuk e meritojnë të merret askush me ta madje duke i akuzuar edhe mediat pse këta po merren me këtë nismë. Harrojnë këta klerikë se pikërisht media jonë në shumicën dërrmuese i kanë hapur derën edhe këtyre dhe tash pse të bëhen selektiv. Janë disa kundërreagime në stilin se po edhe ne jemi patriotë se filan hoxha ose kaq hoxhallarë kanë dhanë jetën për liri, se kaq kemi ba për arsimin gjatë viteve ’90-ta, se kaq para kemi dhënë për këtë e atë etj. Hoxha kur shkoi në luftë shkoi si shqiptar. Kur u ndihmua arsimi është bërë si njerëz. Kur është dhënë paraja e ndihma janë bërë si humanitarë. E pse duhet të theksohet përkatësia religjioze e veprës së mirë sa herë që këta nuk ndihen rahat? A mos vallë paskërka gjak hoxhe që dalluaka nga i një të riu tjetër? Po sa shtëpia nga ana tjetër ishin lëshuar nga qytetarët e Kosovës për shkolla që ishin shumicë madje duke rrezikuar çdo gjë?! A mos këto vepra mbetën më të ulëta vetëm se nuk ngjyrosen me petk feje?! Kështu i dëgjova e i pashë reagimet kundër nismës së Deçanit: jeni komunista, jeni pleq, jeni para vdekjes, jeni lopë, jeni hajvana, nuk jeni as sa një autobus, jeni islamofoba, kurrë nuk keni qenë myslimanë etj. Mirëpo thelbi rezistues i tyre ishte ky: kush do t’iu shtinë në dhe o të shkretë, se keni me mbet mbi dhe?!!! Bile imami nga Prizreni po thoshte se nuk kanë as vend ku të varrosen se në Prizren kemi varreza për myslimanë, varreza për katolikë dhe varreza për serbë. Pra ai po thoshte se nuk ka varreza për shqiptarë! Nuk ka varreza për njerëz me besime tjera ose mosbesime sipas tij. Kjo i bien që ndoshta mund të lindësh shqiptar ama të vdesësh dhe të varrosesh shqiptar nuk mundesh kurrë! Çfarë kërcënimi ky?! Me ligj të gjitha vendvarrezat në Kosovë kanë status civil, qytetare e jo fetare, por këto janë përvetësuar kudo nga një bashkësi fetare ose tjetra. Çfarë shantazhi me qytetarët e këtij vendi kur imamët ushtrojnë kontroll e pushtet se do të mbeten mbi dhe pa u varrosur ose se nuk kanë fare vend me u varros këtu si shqiptarë kurse tokën e quajmë Dardani e Shqipëri. Kjo është diktaturë! Kjo është skllavëri! Njeriu në Kosovë duhet me u garantu që kur të vdesë mundet me u varros si të zgjedhë ai. Ndërsa ju i shantazhoni jo vetëm këta që kanë thënë se ma nuk janë myslimanë por shqiptarë, mirëpo edhe tjerët që nuk u përkulen juve ose nuk janë praktikantë myslimanë se nuk do t’i varrosni!? Prandaj kemi kaq shumë biznese të lidhura me varrimin. Kaq shumë të hyra nga varrimet. Edhe disa komuna paguajnë ndesh me kushtetutën bashkësisë fetare për varrimet. A mos vallë ju patët licencë nga qielli për varrosje? Populli ynë duhet të çlirohet nga premisa të këtilla diktatoriale fetare që i kushtëzojnë besimtarët e tyre për çkado qoftë dhe kushdo që e ushtron, pra jo vetëm myslimanët. Nga gjithë reagimet i imamëve të shumtë mua më pëlqeu dhe e vlerësoj qëndrimin e imamit nga Mitrovica Fatmir Latifaj duke folur në qetësi, në paqe, pa ofenduar pa kërcënuar. Ai tha “secili ka të drejtë”, dhe mbitheksonte nevojën për unitet e ndërvarësi nacionale. Mirëpo gjithë tjerët i kam parë shumë të trazuar, me fjalë të pamatura, me kërcënime e ofendime, me etiketime dhe përjashtime. Vallë pse kaq lehtë u humb paqja këtyre njerëzve, ose pse nuk kanë paqe? A mos mendojnë se janë bërë patronazhët e Zotit, të librave të Tij, të profetëve të Tij?! Zoti nuk ka nevojë të mbrohet prej nesh. Jezus Krishti na mëson “kur u shajnë e mallkojnë i bekoni dhe mos u hakmerrni ndaj tyre por u bëni mirë”!

Kush janë fajtorët kryesorë të gjendjes sonë?

Lakmia për paranë është fajtori dhe motivi kryesor. Bërja e parasë pa punë është mallkim ose haram! Në plan të parë për çdo investim në Kosovë ne qytetarët e Kosovës e kemi konvertuar çdo gjë se çka përfitojmë financiarisht. Ky është problem madhor moral i shoqërisë sonë të korruptuar. Neve si shqiptarë na ka hy breva në barkë për paranë dhe breva e dytë duke qenë kundër njëri-tjetrit. Jemi prishur gati në çdo pore për paranë. Jemi prishur në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Paraja është bërë idhulli më i madh. Idhulli paraqet zotin individual të secilit person. Jemi paganë e jo fetarë! Fajtori i dytë për gjendjen në Kosovë janë politikanët që kanë përfituar nga fondet dhe votat e vëllezërve tanë myslimanë. Prej vitit 1999 kurrë, në asnjë rast shteti dhe institucionet e tij kryesore nuk kanë dhënë asnjë kontribut për bashkëjetesën ndërfetare, përkundrazi me veprimet e tyre kanë kontribuar që të përçahet edhe më shumë kohezioni nacional. Përfaqësuesi i lartë i shtetit shkon në kishë por jo në xhami. Qarshia flet se saherë vijnë zgjedhjet janë imamët e caktuar që sigurojnë votat e duhura. Fajtori i tretë jemi ne të gjithë sepse të huajën e duam më shumë sesa tonën. Që nga 1999 jam dëshmitar që KFOR, OSBE, ambasada amerikane kanë bërë 1000 herë më shumë për bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë sesa institucionet shtetërore, komunale dhe shoqëria civile. Ne jemi shtet laik sipas kushtetutës dhe kurrë në asnjë moment nuk është respektuar normativiteti kushtetues nga politika dhe liderët e shtetit. Fjala laik te Kushtetuta duhet me u zëvendësue me fjalën sekular pasi shteti ka ndërtuar raporte “sekulariteti” religjionin dhe bashkësitë fetare e jo raporte “laiciteti”. Fajtori i fundit është një masë e madhe e medias kosovare e cila i ka kontribuar kësaj gjendje në forma e motive të shumta. E në fund të gjithë jemi duke folur shumë dhe duhet me e rrudhë gojën pasi Bibla na mëson se gjuha ndez një mal por edhe mund të zbusë një shtazë.

A po nxit urrejtje ndërfetare, përçarje dhe mosdurim qytetar Lëvizja “Braktisja e Islamit”?

Si nismë për aq sa kam përcjellë këto ditë nuk shoh se kanë synim urrejtjen me baza fetare, mosdurimin qytetar dhe përçarjen, por nga një individ është e vërtetë se aty në daljen publike pati gjuhë të urrejtjes ndërfetare dhe kjo është e papranueshme dhe e panevojshme. Ai person mjafton të kërkoj falje publike për deklaratën e tij kur përmendi se feja islame është çnjerëzore, mirëpo nëse e krahason se çka është folur në këtë vend nga i madh e i vogël e kush nuk është marrë me ta atëherë edhe ai individ thjesht çka tha veç të përbihemi se nuk kemi çka të bëjmë ne, se moti jemi duke u përbi.

A mundet me u braktis islami?

Po, sigurisht, dhe jo vetëm islami por çdo fe tjetër, dhe kjo po ndodh në lindje e perëndim. Kjo është e drejtë qytetare, është kategori kushtetuese, është dispozitë ligjore, është e drejtë universale e njeriut që të besojë, të mosbesojë dhe të ndërrojë fe. Kosova është shtet laik me kushtetutë por i mbron bashkësitë fetare dhe sipas ligjit të lirive fetare bashkësitë fetare të Kosovës e të cilat janë pesë me ligjin aktual (Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Bashkësia Islame, Kisha Protestante, Bashkësia Hebreje), kurse me ndryshimet edhe plotësimet e reja të këtij ligji janë shtuar edhe dy bashkësi të reja (Bashkësia e Tarikateve dhe Bektashinjtë). Secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet të kuptojë se bashkësitë fetare mbrohen nga shteti dhe janë trashëgimi e shtetit. Ky është rendi kushtetues dhe demokratik i shtetit të Kosovës. Prandaj kjo është vlera, është barazia, është kohezioni shoqëror e kombëtar dhe këtu numrat se kush është më i madh a më i vogël, se kush është ma i vjetër e kush ma i ri nuk kanë rëndësi dhe kurrë nuk duhet të ketë për një shoqëri demokratike dhe kombëtare si shqiptarë duke ditur se ne jemi të krishterë dhe myslimanë. Në Kosovën e pasluftës ka ndodhur që së paku mbi 10 mijë qytetarë kanë kaluar nga islami dhe i janë bashkuar komunitetit protestant por vërtet nuk ka ndodhur kurrë as edhe një problem që vlen të përmendet. A thuani pse? Nuk kemi nevojë me punue në këtë drejtim me tupana e kamera dhe falls, dhe me këtë nuk po them se dikush ta mbajë fshehtë besimin e tij në Krishtin ose t’i mbajë dy besime. Disa herë e kam përmendur publikisht dhe e përsëris edhe këtu duke kërkuar nga secili kosovar, ju lutem përzemërsisht, mos e ofendoni islamin, mos e shaj Kuranin, mos i shaj myslimanët, mos i shaj imamët ama mundesh me kritikue, mos i përçmo xhamitë, mos u tall me profetin e islamit Muhamedin në emër të lirisë së shprehjes në Kosovë dhe mes shqiptarëve. Ky është minimumi i sjelljes sonë kolektive. Kujt nuk i pëlqen islami ose krishterimi lirisht le të zgjedhë braktisjen ose të besojë një fe tjetër, sepse askush nuk mund ta bëjë fenë e tij ashtu siç ka dëshirë ai. E nga tjetër secili prej nesh kemi të drejtë të thërrasim në besim të tjerët. Dhe unë i bëj thirrje në emër të Perëndisë At që çdonjëri ta dëgjojë ungjillin, të pendohet nga mëkatet e tij, ta rrëfejë Krishtin për Shpëtimtarin dhe Zotin e tij, të pagëzohet dhe t’i bashkohet kishës protestante! Kjo është thirrja ime, kjo është thirrja e kishës sonë. Kjo përbën paqe e jo luftë. Jezusi erdhi nga qielli. Ai është Princi i Paqes dhe Bibla thotë se Ai është Vula e Perëndisë dhe askush nuk mund të shkojë në qiell vetëm përmes atij që erdhi nga qielli.

Cili është problemi kryesor i myslimanëve të Kosovës?

Nga ajo që kam vërejtur dhe analizuar edhe pse myslimanët janë shumicë mbi 90% në Kosovë ata dhe klerikët e tyre sillen kryesisht dhe jetojnë me një mendësi pakice. Kjo ka mbetur trashëgimi besoj qysh nga koha e shtetit jugosllav pasi që myslimanët nuk janë respektuar po veç keqpërdor edhe pse kanë qenë popullata e dytë në atë shtet. Ka mundësi që edhe shteti i Kosovës e ka trashëguar këtë raport ndaj popullatës së besimit mysliman të vendit tonë. Inferioriteti i myslimanëve të Kosovës është tmerrësisht problem që duhet të zhduket nga mendësia e tyre si realitet, si reagim, si filozofi jo vetëm praktike por edhe eshkatologjike. Si ekzaminohet kjo mendësia e pakicës duke qenë shumicë në vetvete? Klerikët myslimanë dhe aktivistë të tjerë edhe për çështjen më të vogël kryesisht reagojnë të alarmuar. Edhe rasti i fundit e dëshmon këtë. Shumica i krijon konformitet pakicës, por pakica i ofron shumicës të menduarit e vetë. Pakica zgjedh konservatizmin dhe mbylljen siç dihet pasi është në mbrojtje, por shumica është e hapur dhe përpinë ide të mëdha, ndryshime, llojshmëri etj. Kam përcjellë mbi 30 imamë që kanë reaguar për lëvizjen dhe shumica e tyre përdorin fjalor denigrues, cinik, iritues ndaj palës tjetër, nuk kanë durim. Dhe kur mendon se këta duhet të jenë mësuesit e fesë, njerëzit e arsyes, njerëzit e durimit, njerëzit që pranojnë vuajtjen dhe përçmimin, njerëz që përfaqësojnë turmë të madhe atëherë hamendësojmë se cili është niveli i tyre vërtet? Pse kaq shpejt gufojnë? Pse kaq lehtë të ofendojnë? A janë njerëz të Zotit apo janë aktivistë të Zotit? Shumica kurrë s’ka nevojë të sulmojë pakicën! Shumica kurrë s’ka nevojë të ankohet ndaj pakicës! Shumica kurrë s’ka nevojë të vajtojë? Shumica s’ka nevojë të shtyhet që t’i bindë tjerët se janë më të fuqishmit, të parët etj. A ka ndodhur ndonjëherë që një xhami ose një shoqatë humanitare islame ta ndërtojë një kishë në Kosovë? E pse dhe si nga ana tjetër tri xhami në Kosovë janë ndërtuar edhe me fonde të organizatave krishtere dhe hebreje? Organizatat humanitare krishtere në Kosovë kryesisht ndihmojnë popullatën e besimit mysliman, por kurrë nuk ndodhë që organizatat humanitare islame t’i ndihmojnë të krishterët e Kosovës. Te kisha që unë e drejtoj mbi 80% e atyre që kërkojnë ndihmë janë të besimit islam. I vogli ka inat, mëri, është me teke, por i madhi falë, pranon, justifikon, ripërtërinë etj. Gjithsesi pakica dhe individi është marrëzi, është jo kulturë, jo reale që mos ta respektojë shumicën sidomos në një shtet demokratik dhe me orientim laik. Nëse themi se jemi demokratë atëherë me çdo kusht duhet të respektohet shumica qoftë ajo politike ose fetare. Pakica bën zhurmë dhe i lejohet të bëjë zhurmë se është pakicë! Pakica duhet të mbrohet më shumë dhe duhet toleruar diskriminim pozitiv dhe shumica mos ta xhelozojë për këtë. Në familjet shqiptare sugari është më i favorizuari sepse është më i vogli dhe vëllezërit e mëdhenj e kuptojnë këtë dhe kjo krijon paqe sërish. Kujtoni këtu Jakobin dhe të përzgjedhurin e tij Jozefin. Po pse myslimanët e Kosovës sillen si pakicë pra? Nuk e di? Veç nëse u pëlqeftë të bëjnë zhurmë për çdo gjë pasi nuk mund të dalin nga mendësia e pakicës! Ose ndoshta u pëlqen të kërkojnë më shumë mbrojtje e privilegje. Në Shqipëri vërej se myslimanët atje kanë një tjetër mendësi në raport me tjerët dhe nuk sillen si pakicë.

Çka duhet të bëhet si Kosovë e Re?

Kosova tash është shtet dhe jo provincë turke e as jugosllave, madje as në raport me Shqipërinë Kosova nuk duhet të sillet si provincë. Me këto e nënkuptojë Kosovën e Re, pra diçka ma shumë sesa një projeksion politik, kulturor e shpirtëror. E reja që sillet le të na fuqizojë e jo të na kthejë në provincializëm. Zemra e Dardanisë si kulturë e si mbretëri ka pikërisht Kosovën. Kjo është premisa e parë e antikitetit tonë ku duhet me u trasua Kosova e Re. Në bazë të zhvillimeve politike nisur nga dr. Rugova e deri tani përsëritet se Kosova si shtet do të jetë e rreshtuar kah perëndimi si pjesë e integrimeve euroatlantike. Integrimin jemi duke e dashur për mbrojtje e për fonde por jo për vlera dhe kjo është njëra nga pafytyrësitë e Kosovës së Re. Dikush një ditë duhet të bëjë një traktat nacional me disa pika se si të bëhet vërtet Kosova e Re për çështje kulturore e civilizuese. Ky traktat duhet ta rregullojë një punë mirë njëherë e përgjithmonë. Kjo duhet të rregullohet në formë të një pakti ose një marrëveshjeje të madhe të interesit shoqëror dhe shtetëror. A mundet të rregullohet kjo pa një pakt? Jo! Pse? Sepse këtë nuk po e bën as politika, as intelektualët, nuk po bëhet as me kulturë, as me arsim, as me ekonomi, as me ligj! Atëherë mbetet për t’u bërë një pakt, një besëlidhje, një marrëveshje e madhe kombëtare. Cilat do të ishin disa nga pikat besëlidhëse? E para, lidhur me orientimin e shtetit bazuar në kushtetutë që të respektohet dhe afirmohet nga të gjithë. E dyta lidhur me respektimin dhe afirmimin e të gjitha figurave me rëndësi kombëtare, kulturore, shtetërore dhe fetare (po qe nevoja me u krijue listë e re). E treta, identiteti nacional mbetet në rend të parë dhe mos ta rrezikojë a poshtërojë kush. E katërta, të krishterë dhe myslimanë janë vëllezër shqiptarë dhe të jetë i lirë kushdo çka të besojë ose mos të besojë por askush mos të përçmojë asnjë bashkësi fetare apo besim. E pesta, bashkësitë fetare në raporte me kombet tjera të garantojnë se nuk do ta dëmtojnë shtetin, kulturën dhe bashkësitë tjera fetare përkundrazi me shërbye që me lidh ura miqësie me kombet e shtetet tjera në të mirë të Kosovës (Bashkësia Islame me vendet myslimane, Kisha katolike me vendet katolike, Kisha Protestante me vendet me shumicë protestante e që janë në fakt mjaft shumë, Bashkësia Hebraike me Izraelin). E gjashta, Kisha Ortodokse Serbe të bëjë një besëlidhje të veçantë me të gjitha bashkësitë tjera fetare të Kosovës për disa interesa me theks edhe për trashëgiminë ortodokse të Kosovës. Nëse nuk ndërmerret diçka për të mirë atëherë jo larg mund të harrohet “lëvizja e Deçanit” çka mund të ndodhë!

Shpërndaje në: