Anëtari i KQZ-së thotë se KQZ-ja kontrollohet nga Kadri Veseli

Anëtari i KQZ-së thotë se KQZ-ja kontrollohet nga Kadri Veseli

Kështu ka thënë anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi në një intervistë për Periskopin.

Rrustemi, vendimin e këtij komisioni për decertifikimin e kadidatëve të pavarur Naim Bazajt dhe Rrahim Elshanit e ka quajtur të paligjshëm, pasi këtë vendim e ka anuluar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ai ka thënës e KQZ-ja tashmë e ka humbur kredibilitetin duke theksuar se me shkeljet ligjore të këtij komisioni nuk mund të priten zgjedhje të lira dhe me integritet, qoftë në Drenas apo edhe zgjedhje të përgjithshme.

Intervista e plotë:

Periskopi: A është shkelje ligjore nga ana e KQZ-së, decertifikimi i kandidatëve të pavaruar për Drenasin, derisa Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk e ka mbështetur këtë vendim?

Rrustemi: Decertifikimi i kandidatëve të pavarur ka qenë tërësisht i paligjshëm që nga fillimi.  Ndërsa, vendimi i PZAP-së si institucion me karakter dhe përbërje gjyqësore, vetëm sa e ka vërtetuar këtë, kur e ka anuluar vendimin e KQZ-së.  Ndërsa KQZ, në vend që në mbledhjen e djeshme të shfrytëzoj shansin që të kompensojë sado pak dëmin e këtij vendimi, ndoqi rrugën e shkeljeve edhe më të mëdha dhe të shumëfishta, duke nxjerrë sërish të njëjtin vendim, por tashmë dy ditë pas hedhjes së shortit dhe pa qenë fare në rend të ditës . Vendimi i fundit përbënë po ashtu një rast të rrezikshëm dhe të paprecedent kur KQZ-ja nuk i zbaton vendimet e një gjykate siç është PZAP.

Periskopi: Sipas jush pse KQZ-ja e ka marrë një vendim të tillë?

Rrustemi: Pasi që KQZ po kontrollet nga PDK, ajo po shfrytëzohet për të legjitimuar lojërat dhe pazaret e Kadri Veselit.  KQZ nuk duhet të lejoj të bëhet palë në këto pazare e aq më tepër që t’i legjitimoj. Ligji për zgjedhjet, neni 20.3 e thotë qartë se kandidatët e pavarur nuk mund të tërhiqen nga gara deri pas certifikimit të rezultateteve, ndërsa neni 28.1 e përcakton qartë afatin kur do të duhej të tërhiqen subjektet politike.

Periskopi: Si do të duhej të veprohet me këtë rast ?

Rrustemi: Këtu gjithçka është e qartë, se kandidatët e pavarur për kryetar të Komunës së Drenasit mund të tërhiqen nga aktiviteti i tyre paraelektoral, por nuk mund të tërhiqen nga fletëvotimi.  Këtë e ka vërtetuar edhe vendimi i PZAP-it, i cili dy ditë më parë e kishte anuluar vendimin e KQZ-së. KQZ-së, duhet të respektoj dhe zbatoj vendimet e PZAP-it, duke e rikthyer kandidatin e pavarur në fletëvotim dhe të marr masa që të jetë e paanshme ndaj palëve.

Periskopi: A mendoni se ka ndikime politike në vendimet e KQZ-së?

Rrustemi: Për fat të keq, ndikimi politik nuk është vetëm në komision, por edhe në segmente të administratës të KQZ-së, veçanërisht në Zyrën për Regjistrimin dhe Certifikimin e Subjekteve Politike, ku përmes drejtoreshës së saj znj. Drejtoresha e ZRPP-së po sjell në mbledhje të KQZ-së rekomandime të kundërligjshme, të manipuluara, gjysmake që pastaj po i paraprijnë vendimeve të paligjshme  të KQZ-së.  Kësisoj, KQZ po merr rolin e legjitimuesit të presioneve e pazareve të Kadri veselit, aty, ku në fakt do të duhej të ndërhynte prokuroria për të hetuar dhe vetë KQZ për të ruajtur integritetin e procesit. Moszbatimi i vendimit të PZAP-it implikon edhe përgjegjësi penale për anëtarët e KQZ-së dhe ZRPP-n, prandaj, nisur nga zhvillimet e fundit ka hapësirë të mjaftueshme që Kryeprokurori Lumezi të filloj hetimet përkitazi me këto shkelje.

Periskopi: A po humb kredibiliteti i KQZ-së?

Rrustemi: Pa dyshim, edhe pse në bazë të Kushtetutës, por edhe për nga roli në përputhje me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve, KQZ-ja si institucion që organizon zgjedhjet është e domosdoshme të jetë profesional, i pavarur dhe i besueshëm për të gjithë akterët zgjedhor. Nuk mund të presim zgjedhje të lira dhe me integritet, kur vetë institucioni që i organizon ato nuk i trajton të gjitha subjektet politike në mënyrë të njëjtë, kur vetë KQZ-ja e shkelë ligjin e aq më tepër nuk e zbaton një vendim me karakter gjyqësor, siç është vendimi i PZAP-it.

Vendimet dhe veprimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkelur ligjin për zgjedhjet dhe moszbatimi i  vendimeve të detyrueshme të PZAP-it, e ka nxjerrë në pah një fakt shqetësues jo vetëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, por edhe për integritetin e zgjedhjeve në përgjithësi, kurdo që do të mbahen. Prirja dhe insistimi i KQZ-së që përmes vendimeve të paligjshme, moszbatimit të vendimeve të PZAP-it e që këto të fundit kanë efektin e vendimeve gjyqësore, ka bërë që ky institucion që do të duhej të ishte i pavarur dhe i paanshëm, të vihet në shërbim të një partie politike të caktuar apo të kontrollohet tërësisht, siç është rasti nga PDK-ja dhe Kadri Veseli. / Periskopi/

 

Shpërndaje në: