Arbër Zeneli tregon se pse nuk është në Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet e qershorit

Arbër Zeneli tregon se pse nuk është në Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet e qershorit

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, të hënën e publikoi listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e këtij muaji. Në listë mungon sulmuesi i krahut, Arbër Zeneli.

Zeneli e mbylli një tjetër edicion me skuadrën elitare të Francës, Reims. Por nuk ka luajtur shumë së fundi. Edicionin 2022/23 e përfundoi me një gol të shënuar e katër asistime në 26 ndeshje në të gjitha garat. Tri asistime i pati në Ligue 1, ndërsa një gol e një asistim e kishte në ndeshjet për Kupën e Francës. Në kampionatin francez luajti në 23 ndeshje.

Zeneli 28-vjeçar vlerësohet prej lojtarëve kryesorë te Kosova. Ai nuk ka qenë i kënaqur me minutat që i ka pasur në dispozicion te Reimsi.

Të martën për KOHËN, Zeneli ka treguar arsyet pse nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të Kosovës, që nis të enjten.

Kosova e pret Rumaninë më 16 qershor, ndërsa tri ditë më pas luan në udhëtim ndaj Bjellorusisë. Dy ndeshjet i takojnë Grupit I të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Zeneli thotë se mori ftesë nga përzgjedhësi Giresse.

“Kam biseduar me përzgjedhësin Giresse. Edhe ftesën e kam marrë. Por për shkak të minutazhës së vogël që kam pasur me klubin tim, kemi ardhur në përfundim së bashku me selektorin që unë të mos marr pjesë në këto dy ndeshjet e qershorit”, ka thënë Zeneli.

Ai është një prej lojtarëve me më së shumti paraqitje te Kosova. Ka regjistruar 31 ndeshje dhe ka kontribuuar me nëntë gola.

Zeneli iu bashkua skuadrës së Reimsit në janar të vitit 2019. Me fanellën e skuadrës franceze ka zhvilluar 82 ndeshje, ndërsa ka shënuar nëntë gola dhe ka 14 asistime.

“Trajneri e përzgjedh skuadrën dhe unë pajtohem me vendimin e trajnerit. Unë jam i gatshëm kurdoherë që më jepet mundësia që ta jap më të mirën në fushën e lojës”, ka thënë Zeneli, kur është pyetur për hapësirën që kishte te Reimsi.

Me Reimsin ka kontratë edhe dy vjet dhe nuk planifikon të lëvizë .

“Kam kontratë me klubin deri në verën e vitit 2025 dhe do ta respektoj atë”, është shprehur Zeneli.

Ai është zhvilluar në futbollin suedez. Ishte pjesë e Elfsborgut, skuadër ku e nisi karrierën. Me këtë skuadër e fitoi Kupën e Suedisë, për t’u transferuar më pas te Heerenveeni në janar të vitit 2016. U paraqit në 100 ndeshje me skuadrën holandeze. Pati 21 gola e 27 asistime.

Shpërndaje në: