Arifi: Aliu e ka futur në lojë edhe Albinin, le ta themelojë një parti në Preshevë

Arifi: Aliu e ka futur në lojë edhe Albinin, le ta themelojë një parti në Preshevë

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e emëroi “një njeri partiak në një post që duhet të jetë jopartiak”, duke iu referuar vendimit të së hënës për emërimin e rivales së tij, Ardita Sinani si Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Arifi tha në Frontal të T7 se ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu “e ka futur në lojë Albin Kurtin” për t’i bërë konkurrencë atij në Preshevë.

“Ne jemi duke u diskriminu, e kemi papunësinë 50%, e kemi pasivizimin mbi kokë, tash edhe Qeveria e Kosovës është duke u qasur në mënyrë amatoreske me vendin tonë. Ne kemi nevojë për një Kosovë e cila është e mençur dhe e fortë, e jo ajo e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu”, tha Arifi.

Ai e ftoi Aliun që “ta themelojë një parti në Preshevë”. Sipas tij, ministri Aliu ka “inate politike” dhe “dëshiron ta udhëheq politikën e Preshevës”.

“Unë i bëj ftesë Liburnit, nëse do me bë politikë, mos e përdor Arditën si kukull. Hajde këtu në Preshevë, themeloje një parti, fitoji zgjedhjet, konkurro, edhe atëherë e shohim a mund ta ndikosh politikën. E jo ti Arditën me e futë Arditën në lojë vetëm e vetëm se ke inate politike dhe do me e udhëheq politikën e Preshevës”, tha Arifi.

Kryetari i Preshevës tha se “kjo është mëse qesharake”, dhe se sipas tij, Aliu duhet të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

“I kërkoj dorëheqje Liburnit prej kësaj çfarë është duke bërë. Prej partisë bre duhet me u përjashtu me këtë çfarë po bën në Preshevë”, tha Shqiprim Arifi.

Shpërndaje në: