Arifi tregon vlerësimin e BE-së: Rezultatet e Kosovës në implementimin e marrëveshjeve janë të kënaqshme
Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë, i kryesuar nga Avni Arifi, ka zhvilluar një takim me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Thomas Busch, në Bruksel.
Në këtë takim, delegacioni nga Kosova prezantuan rezultatet e punës së tyre në procesin e dialogut, me ç’rast zyrtarët e Bashkimit Evropian e vlerësuan punën e tyre.
Shef i delegacionit kosovar, Avni Arifi është shprehur i kënaqur me vlerësimin e BE-së për rezultatet e Kosovës.
“Ka qenë takim i rregullt ku raportojmë para vendeve anëtare të BE-së. Në asnjë moment asnjë zyrtarë nuk është shprehur negativisht për institucionet e Kosovës. Janë përmend vonesat për tabela të regjistrimit të veturave, mirëpo nuk ka pasur asgjë tjetër. Konkluzioni përfundimtar i zyrtarëve të BE-së është që rezultatet e Kosovës në implementimin e marrëveshjeve janë të kënaqshme”.
Në lidhje me asociacionin Arifi ka deklaruar se do të realizohet në përputhshmëri me kushtetutën e Kosovës.
“Kosova ka implementuar të gjitha marrëveshjet. Ajo çka ka ngelur pa u implementuar nga ana e Kosovës është çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo ka ngecur për shkak të shkeljeve kushtetuese. BE-ja është përcaktuar për një asociacion konform kushtetutës së Kosovës”.
Ai gjithashtu theksoi se do të insistojnë që në raundin e ardhshëm të diskutohet në lidhje me energjinë dhe se nuk do të tërhiqen pa nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe.



