Aro Muriq hap të madh në karrierë: Afër kalimi te PSV Eindhoven

Aro Muriq hap të madh në karrierë: Afër kalimi te PSV Eindhoven

Arijanet Anan Muriq nuk luajti as mbrëmë për Nottingham Forestin në përballjen kundër Middlesbrough-së në City Ground. Nga 20 ndeshje të zhvilluara deri tash, ai ka luajtur në vetëm katër prej tyre.

Më herët gjatë këtij muaji, trajneri i Forest Sabri Lamouchi e kishte vlerësuar lart portierin dardan duke e quajtur “mjaft profesionist”, por duket se ky koment nuk do të mjaftojë që ai të vazhdojë qëndrimin në qytetin e Nottinghamit.

Tashmë portieri Brice Samba është bërë titullar i pazëvendësueshëm dhe po bën paraqitje mjaft të mira për ekipin e madh që synon të futet në Premier Ligë.

Kësisoj, kontrata e huazimit për portierin kosovar pritet të mbarojë qysh në muajin janar, meqë Muriqit i duhet të zhvillojë ndeshje për të pasuruar përvojën e tij, shkruan Periskopi.

Gjasat më të mëdha janë që Muriq të huazohet në një ekip tjetër në EFL Championship që ka probleme me pozitën e portierit.

Por, ka raportime në mediat holandeze që portieri kosovar kërkohet për t’u blerë krejtësisht nga 24 herë kampioni i Holandës dhe 1 herë fituesi i Champions League, PSV Eindhoven.

Ky ekip i madh holandez po vuan formën e dobët të portierëve aktualë, me Zoet që ka luajtur 11 herë, Ruiter 1 herë dhe gjermani Unnerstall katër herë.

Vlera e Aro Muriqit në treg është 2 milionë euro, dhe ky nuk pritet të jetë problem për PSV-në. Por, City mësohet që kërkon deri në 5 milionë për yllin e Kosovës, gjë që mund t’i vështirësojë negociatat me klubet.

Kujtojmë që Muriq kishte një përvojë të vogël në ligën e Holandës, pasi ishte i huazuar te NAC Breda, ku e zhvilloi vetëm një ndeshje. /Periskopi

Shpërndaje në: