Arrestimi i Fatmir Shehollit për spiunazh erdhi pas hetimeve disa-mujore: Çka dihet deri më tash
Fatmir Sheholli është arrestuar nën dyshimet për spiunazh tek Serbia.
Lajmin i pari e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.
Ai kritikoi mediat për hapësirën që ia kishin dhënë Shehollit, duke shtuar se koha e spiunëve në Kosovë ka përfunduar.
“Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar Xhelal Sveçla në rrjete sociale.
Arrestimin e Shehollit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale. Aty thuhet se arrestimi ka ndodhur pas hetimeve disa-mujore./Periskopi/



