Arrestimi i Maduros, kryeministri sllovak kritikon SHBA’të për shkelje të ligjit ndërkombëtar – përmend edhe Kosovën

Arrestimi i Maduros, kryeministri sllovak kritikon SHBA’të për shkelje të ligjit ndërkombëtar – përmend edhe Kosovën

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të Nicolas Maduros nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar veprimin si një “shkelje të ligjit ndërkombëtar”. Fico ka theksuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me normat dhe rregullat ndërkombëtare dhe ka përmendur edhe çështjen e Kosovës si një shembull tjetër ku, sipas tij, SHBA-të kanë shkelur sovranitetin e shtetëve të tjera.

Në një postim të tij në rrjetet sociale, Fico ka deklaruar:
“Veprimi ushtarak amerikan në Venezuelë është një dëshmi tjetër e prishjes së rendit botëror që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore. Ligji ndërkombëtar nuk zbatohet, fuqia ushtarake përdoret pa mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe çdo kush që është i madh dhe i fuqishëm bën çfarë të dojë për të promovuar interesat e tij.”

Ai ka vazhduar duke shtuar:
“Si Kryeministër i një vendi të vogël, duhet të refuzoj me vendosmëri një shkelje të tillë të ligjit ndërkombëtar, ashtu siç bëra gjatë luftës në Irak, në mohimin e Kosovës si shtet sovran, apo në përdorimin e fuqisë ushtarake ruse në Ukrainë, apo në vlerësimin e situatës në Gaza.”

Fico ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për reagimin e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve ushtarake të SHBA-së në Venezuelë, duke theksuar se një reagim i fuqishëm dhe i koordinuar është i domosdoshëm.

“Jam shumë kurioz se si do të reagojë BE ndaj sulmit në Venezuelë, që meriton të dënohet. Ose përdorimi i forcës ushtarake amerikane në Venezuelë do të dënohet dhe do të jetë i qëndrueshëm me qëndrimet ndaj luftës në Ukrainë, ose, si zakonisht, do të mbetet farisean,” ka përfunduar Fico.

Për kryeministrin sllovak, ky është një moment kyç për të testuar qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj aktëve të njëanshme të fuqive të mëdha dhe përdorimit të forcës ushtarake pa mbështetje ndërkombëtare./Periskopi/

Shpërndaje në: