Arrestohen edhe dy persona në Banjskë

Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së hënës në një hotel afër fshatit Banjskë të Zveçanit, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Ata janë arrestuar nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.
“Ata janë zënë me një sasi të konsiderueshme të armëve. Mbetet të shihet nga hetimet nëse kanë lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë Elshani për KOHËN.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tash janë arrestuar gjashtë persona, dy prej tyre të uniformuar e katër që dyshohen për funksionim me grupin, nëpërmjet radiolidhjeve.