Arrestohen pesë persona për gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë
Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për gjuajtje me armë zjarri në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë.
Policia e Kosovës njoftoi se pas pranimit të informatës ka reaguar menjëherë duke angazhuar njësitet policore.
Zyrtarë nga Stacioni Jugu dhe Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë veprimeve të shpejta operacionale janë arrestuar fillimisht katër persona dhe janë sekuestruar armët e përdorura.
Më pas, pas hetimeve të mëtejme, është identifikuar dhe arrestuar edhe personi i pestë, nga i cili po ashtu është konfiskuar një armë zjarri.
“Personat e dyshuar, pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”, thotë PK në Facebook. /Periskopi/



