Arrestohet bashkëshorti i dikurshëm i Jill Biden, ish-zonjës së parë të SHBA, akuzohet për vrasjen e gruas së tij
Ish-bashkëshorti i Jill Biden është arrestuar pasi akuzohet për vrasje të shkallës së parë ndaj bashkëshortes së tij aktuale, Linda Stevenson, njoftuan autoritetet e shtetit të Delaware.
Sipas NBC News, 77-vjeçari William Stevenson, i cili ka qenë i martuar me ish-Zonjën e Parë të SHBA-së, u vu në pranga të hënën dhe akuzohet për vrasje të shkallës së parë lidhur me vdekjen e Linda Stevenson, siç rezulton nga aktakuza e jurisë së madhe e depozituar në Delaware.
Policia e Qarkut New Castle nuk dha detaje për rrethanat e vdekjes. Megjithatë, në një njoftim fillestar thuhej se efektivët iu përgjigjën një thirrjeje për një incident të dhunës në familje më 28 dhjetor, në një banesë në zonën më të gjerë të Wilmingtonit.
Linda Stevenson u gjet pa ndjenja në dhomën e ndenjjes së shtëpisë dhe, pavarësisht përpjekjeve për reanimim nga policët që mbërritën në vendngjarje, ajo ndërroi jetë. Sipas njoftimit të asaj dite, trupi i saj u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore të shtetit të Delaware për kryerjen e autopsisë.
Shkaku i vdekjes nuk u përfshi në njoftimin e publikuar pas arrestimit të William Stevenson. Policia bëri të ditur se aktakuza e jurisë së madhe, e shpallur të hënën, ishte rezultat i një “hetimi të gjerë, që zgjati disa javë” për vdekjen e gruas.
Ndërkohë, portali TMZ publikoi një regjistrim audio nga thirrja në shërbimet e emergjencës natën fatale.
William Stevenson mbetet i paraburgosur në institucionin korrektues Howard Young, pasi nuk pagoi garancinë financiare prej 500.000 dollarësh. Sipas autoriteteve, nuk është e qartë nëse ai ka caktuar një avokat mbrojtës.
Një përfaqësues i ish-presidentit amerikan Joe Biden dhe bashkëshortes së tij Jill nuk e kanë komentuar ngjarjen.
Jill Biden u martua me Bill Stevenson në shkurt të vitit 1970, kur ajo ishte 18 vjeçe dhe studente në Universitetin e Delaware, ndërsa ai ishte 23 vjeç. Më vonë, Bill Stevenson themeloi The Stone Balloon Club, një nga baret studentore më të njohura në Shtetet e Bashkuara, pranë Universitetit të Delaware në Newark, ku për dekada janë ngjitur në skenë artistë të famshëm si Bruce Springsteen dhe Dave Matthews, shkruan Panorama, transmeton Periskopi.
Martesa e Jill dhe Bill Stevenson zgjati pesë vjet. Në mars të vitit 1975, Jill u njoh me senatorin e Delaware, Joe Biden, ndërsa divorci ligjor nga Stevenson u finalizua në maj të po atij viti. Sipas raportimit, Jill Biden tentoi të mbante 50% të pronësisë së The Stone Balloon, por kërkesa e saj u refuzua./Periskopi



